Ilustrim

Detaje për arrestimin në Podujevë, të dyshuarit detyruan viktimën t'ua jepte 80 mijë euro

Dy persona janë arrestuar dje në Podujevë nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të detyrimit.

KALLXO.com mëson se Nj. S., dhe F.S., familjarë mes vete janë arrestuar pasi të njëjtit ditë më herët kishin lënë një takim me viktimën D.M., në afërsi të një pompe të derivateve dhe i kishin kërkuar të njëjtit që t’u jepte 80 mijë euro.

Sipas dokumentit që ka siguruar KALLXO.com, viktima kishte raportuar rastin më 14 mars dhe kishte treguar se ishte detyruar që dy personave t’u jepte paratë nën arsyetimin se viktima i kishte prekur në moral të dyshuarit.

Kjo pasi që viktima në këtë rast kishte pasur probleme me familjaren e të dyshuarve të arrestuar.

Në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com thuhet se dy të arrestuarit ishin intervistuar ndërsa i dyshuari i tretë nuk ishte paraqitur në stacion.

Në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Sot, policia në raportin ditor ka njoftuar për arrestimin e të dyshuarve nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të detyrimit.