Shirit i Policisë - Foto: REL

Detaje për arrestimin e dy policëve të dyshuar për rrëmbim

Pesë persona ndër ta edhe dy zyrtarë policorë janë arrestuar nën dyshimin për rrëmbimin e dy shtetasve të Maqedonisë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të pandehurit V.K., B.N., M.I., F.S., dhe V.K., nën dyshimin se të pandehurit kanë mbajtur dy personat në një vilë në Stanishor të Komunës së Novobërdës me qëllim të përfitimit material.

 Sipas informatave nga Policia e Gjilanit, sot në orët e hershme të mëngjesit, ankuesi shtetas i Maqedonisë së Veriut nga Kumanova ka raportuar në polici se një person i panjohur i kishte dërguar video në telefon të dy viktimave, (njëri nga viktimat vëlla i ankuesit) se ato po i mbanin në një objekt e ku shiheshin të lidhur dhe po ashtu aty shihej edhe një vajzë.

Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar tre armë (revole) nga të cilat dy revole zyrtare, dy palë pranga të plastikës, dy vetura pronë e të dyshimtëve dhe prova tjera materiale.

 Sipas Policisë, viktimat kanë qenë të lidhur me pranga plastike por se të njëjtit kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë dërguar  për tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Gjilan.

 Dy nga të dyshimtit pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë suspenduar për 48 orë.

 Rasti është duke u hetuar nga ana e Policisë së Kosovës, njësia e hetimeve Rajonale në Gjilan, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorit të shtetit për veprën penale “Rrëmbim në bashkë kryerje.”