Detaje nga vrasja në Kaçanik: Një veturë e djegur u gjet disa kilometra larg vendit të ngjarjes

Një veturë është gjetur e djegur e që dyshohet se ishte përdorur në rastin e vrasjes së 48-vjeçarit me Nysret Cena në Kaçanik.

Policia e stacionit në Kaçanik sipas një njoftimi, mbrëmë rreth orës 23 e 50 kishte pranuar një informacion fillimisht se një veturë kishte dalë nga rruga.

Sipas njoftimit që policia ka bërë, zyrtarët policorë në Kaçanik menjëherë i kanë marrë masat e nevojshme, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë vërejtur se një person në ulësen e parë të shoferit dyshohej se ishte pa shenja jete. Janë njoftuar ekipet mjekësore të cilët kanë konstatuar se personi është pa shenja jete.

Gjithashtu, policia tregoi se nga ekzaminimet e para ekziston dyshimi se vetura e 48-vjeçarit që u vra sot është qëlluar me breshri plumbash e më pas është larguar në drejtim të panjohur.

Një tjetër informacion që ka ndarë policia është se vetëm pak kilometra më tej, Policia kishte hasur edhe në një veturë tjetër të cilës i ishte vënë flaka, ndërsa dyshimet janë se këtë e kanë kryer të dyshuarit të cilët ende nuk janë identifikuar.

Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj trupi i pajetë i viktimës Nysret Cena dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion .

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë për KALLXO.com se janë duke kryer hetime intensive.

Tutje siç mëson KALLXO.com ende nuk ka ndonjë person të identifikuar për rastin.