Ilustrim, Policia gjermane në vendin e krimit - Foto: REL/Reuters

Detaje nga vrasja e familjes kosovare në Hamburg, dyshohet se babai qëlloi djemtë e tij me plumba në kokë

Kur dëgjuan një zhurmë në shtëpinë e bardhë në Klenier Glinder Berg në orën 22:53, fqinjtë menjëherë thirrën Policinë. Në familjen shqiptare ka pasur shpesh debate edhe pse martesa dukej të ishte e lumtur, raporton Bild.

Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan gjashtë vetura të policisë. Në shtëpi, policia gjeti dy fëmijë të vdekur (11 dhe 13 vjeç), të vrarë më të shtëna në kokë. Pak metra më tutje u gjet Flamur R. (44 vjeç), babai i djemve, po ashtu i vdekur.

Gruaja e Flamurit dhe nëna e dy fëmijëve, Avdije R. (38 vjeçe) është në spital e plagosur rëndë, edhe ajo është qëlluar me armë zjarri.

Sipas informacioneve të gazetës gjermane Bild, dyshohet se babai ka qëlluar me armë djemtë e tij, gruan e më pas edhe veten.

Babai, i cili ka qenë zejtar me profesion, është përshkruar si gjaknxehtë nga fqinjët. Mësohet se ai ka kërcënuar edhe në të kaluarën të afërm të cilët e kanë denoncuar në polici.

Prokurori i lartë publik tha se rrethanat e rastit janë objekt i hetimit në vazhdim.

Një fqinj i habitur tha: “Djemtë ishin gjithmonë të lumtur. Edhe atë [nënën e djemve] e pashë këto ditë. Dhe tani ata janë vrarë në fund të Krishtlindjeve”.