Detaje nga vjedhja grabitqare në Prishtinë

Një person është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin se para një muaji ia ka vjedhur një të mituri telefonin nga çanta e tij.

Më 28 mars të këtij viti, viktima kishte raportuar në Policinë e Kosovës se një i dyshuar nën kërcënimin e thikës kishte kryer vjedhjen.

Policia sot ka njoftuar se si rezultat i angazhimeve policore kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin.

Për të arrestuarin Policia ka thënë se me vendim të prokurori të shteti pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Sipas Policisë, ngjarja e vjedhjes kishte ndodhur në rrugën Enver Maloku në Prishtinë në datën e lartcekur, rreth orës 15:15.

Raste të tilla dënohen në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Neni 316 i këtij Kodi thotë se personi i dyshuar në ngjarje të tilla mund të denohet me gjobë dhe burgim prej tre deri në dhjetë vjet.

“Kushdo që i zënë në befasi në kryerjen e aktit të vjedhjes dhe me qëllim që pasurinë e vjedhur ta mbajë, e përdor forcën apo kanosjen serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet”, thuhet në Kodin Penal.