
Ilustrim
Detaje nga vjedhja e rreth 3 kg ari në një Argjendari në Prizren, dyshohet se u këput kabllo e kamerave të sigurisë
Rreth 3 kilogramë ari dyshohet se janë vjedhur nga argjendaria “Gold 2000” në Prizren. Pronarët thanë për KALLXO.COM se për vjedhjen kanë kuptuar më 13.01.2024, kur kishin shkuar për ta hapur lokalin.
“E kemi kuptu të hënën kur kemi shku me e hap lokalin. Dera nuk është dëmtuar, vetëm alarmi. Sasia e arit besohet se është rreth 3 kilogramë.” – thanë pronarët e kësaj Argjendarie për KALLXO.com, më 14.01.2025.
Teksa zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi ka deklaruar se nga hetimet e para del se personi i panjohur ka arritur të depërtojë në lokal, pa e dëmtuar derën e hyrjes. Po ashtu, ai ka shtuar se i dyshuari ka dëmtuar një kabllo, e cila ka ndërprerë kamerat e sigurisë dhe më pas ka kryer grabitjen.
“Dhe nga seti ka arritur të tërheqë gjësende të arit dhe argjendit, ku sipas pronarit besohet se është tërhequr një vlerë e konsideruar e gjësendeve.” – theksoi Vesel Gashi për KALLXO.com.
Vjedhjen e Argjendarisë në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, Policia e Kosovës e ka evidentuar edhe në Raportin 24-orësh, si “vjedhje e rëndë”.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur në lokalin e tij kanë vjedhur stoli ari dhe argjendi. Lidhur me rastin është informuar edhe Prokurori, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin.” – thuhet në Raportin policor të datës 14.01.2025.