Foto: ZKM

Detaje nga vizita e Bislimit dhe Nagavcit në Luginën e Preshevës

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u prit së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, në Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Fillimisht u mbajt takimi me kryetarin e Këshillit, Ragmi Mustafi dhe më tej me deputetin e Kuvendit të Serbisë,  Shaip Kamberi.

Sipas komunikatës së Qeverisë, për delegacionin nga Kosova ishte organizuar një pritje e ngrohtë nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.

“Në këto takime, u bisedua bashkërisht mbi vëmendjen e veçantë të Qeverisë ndaj Luginës së Preshevës. Me kryetarin, Ragmi Mustafi, z. Bislimi vuri theksin mbi fondin e ndarë prej 2 milionë eurosh për Luginën përgjatë këtij viti, me qëllim përmirësimin dhe investimin në jetën kulturore, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore e historike, si dhe përkrahjen e projekteve, trajnimeve dhe programeve me interes për rininë” – thuhet në komunikatë.

Kryetari Mustafi e ka falënderuar Qeverinë e Republikës së Kosovës për përkushtimin dhe angazhimin.

“Gjithashtu, përmendi rëndësinë e trajtimit të çështjes së Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë. Çështja e Luginës së Preshevës duhet të ndërkombëtarizohet dhe të adresohen probleme jetike si shpopullimi i këtyre zonave, konventa kornizë për garantimin e të drejtave dhe ligji për pakicat” – thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, në takimin me deputetin Shaip Kamberi u fol mbi reciprocitetin dhe trajtimin e çështjes dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginë, nevojën për rritjen e prezencës së Qeverisë së Kosovës, rrezikun e shpopullimit, regjistrimin e popullsisë dhe njohjen e diplomave.

Tutje në komunikatë bëhet e ditur se në kuadër të kësaj vizite zëvendëskryeministri Bislimi u prit në një drekë pune edhe nga liderët politikë të Preshevës, me të cilët diskutoi mbi shqetësimet e tyre për komunitetin shqiptar në Luginë dhe zgjerimin e ndërveprimit me Preshevën.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, tha se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk kërkuan fare të takohen me të gjatë vizitës.

“Së pari, agjendën të cilën e kanë bërë për ditën e sotme ka qenë një agjendë që nuk ka qenë e mençur sepse ka injoruar dhe ka neglizhuar Komunën e Preshevës, konkretisht edhe shqiptarët në Komunën e Preshevës por ka pasur vetëm disa takime me disa lider, kokë më kokë, në Komunën e Bujanocit por jo në Komunën e Preshevës” – ka thënë ai.

Arifi: Nuk pata kërkesë për takim nga Bislimi dhe Nagavci