Shiriti i Policisë së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Detaje nga tentim-vrasja e 20-vjeçarit në Prizren

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me tentim-vrasjen ndaj një 20-vjeçari në Prizren.

Sipas Policisë, sot në ora 00:49 kanë pranuar informatë se një person ndodhej në emergjencën e Spitalit të Prizrenit dhe ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Viktima dyshohej se është lënduar me thikë nga një person i panjohur.

Pas kësaj, sipas njoftimit, të gjitha njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas një  pune intensive operative-hetimore kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin V.Z., 21-vjeçar.

Tutje është thënë se të dyshuarit V.Z. fillimisht i është dhënë ndihma mjekësore për shkak të lëndimeve që kishte në dorë e më pas është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.

“Në vendngjarje po ashtu është gjetur dhe sekuestruar një armë AK-47 dhe një gëzhojë”, ka thënë Policia duke shtuar se bazuar në hetimet e deritanishme dyshohet se rasti ka ndodhur për shkak të një ngatërrese të mëhershme.

Sipas Policisë, kjo ngatërresë dyshohet se ka filluar si konflikt verbal dhe më pas ka përfunduar me përdorim të armëve.

Personi i lënduar në këtë rast dhe po ashtu i dyshuari, E.B., 20-vjeçar, thuhet se nuk është intervistuar ende për shkak se është në trajtim mjekësor.

“Me vendim të prokurorisë kompetente ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se njësitë policore në Prizren janë duke kryer kërkimet për gjetjen e thikës, si dhe ekzaminime të tjera forenzike per të siguruar prova tjera materiale për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Prizren, ndalohen dy të dyshuar për tentim vrasjen e një 20 vjeçari