Foto: Mirosllav Lajçak / Twitter

Detaje nga takimi trepalësh i dialogut në Bruksel

Takimi trepalësh në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi në nivel të kryenegociatorëve ka përfunduar pa rezultate.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në takimin trilateral, në mes të kryenegociatorëve Besnik Bislimi, Petar Petkoviq dhe emisarit të BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

“Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve” – ka njoftuar Zyra e Kryeministrit (ZKM).

Ndërsa në takimin bilateral të Bislimit me Përfaqësuesin Special të BE-së, emisarin Miroslav Lajçak u trajtuan një mori temash, sipas ZKM-së.

Ndër të tjera në komunikatë thuhet se Bislimi  nënvizoi dhe nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, pasur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Brnabiq “dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës”.

Ndërkohë, sipas ZKM-së, një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë dhe çështja e personave të pagjetur, ku Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët.

“Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare” – shkruan në komunikatë.

Ndër të tjera thuhet se emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin trepalësh të mbajtur në Bruksel nuk ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve me Serbinë.

Duke folur pas takimit për gazetarë, Bislimi tha se “asnjë rezultat” nuk u arrit për këtë, raportoi Radio Europa e Lirë nga Brukseli.

Para katër ditësh, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se ka punuar më së shumti për përgatitjen e takimit të 24 tetorit për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.

“Pata një vizitë produktive në Vjenë, ku u angazhova në një diskutim të thellë dhe të thellë me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, rreth hapave të nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Është koha për të filluar zbatimin me zell”- kishte shkruar Lajçak në Facebook më 20.10.2024.

Lajçak pati ftuar Bislimin dhe Petkoviqin për t’u takuar më 17.09.2024. Takimi u zhvillua vetëm në formatin bilateral, për shkak se sipas Qeverisë së Kosovës, pala serbe kishte refuzuar të marrë pjesë në takim trilateral.

“Takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë. Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”- thuhej në njoftim.

Në takimin me emisarin Lajçak, u diskutua mbi planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve.

Ndërsa theksohet se Bislimi shprehu përsëri angazhimin konstruktiv dhe aktiv të Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve dhe rrugën përpara si dhe komentimet nga ana e saj të drafteve të sekuencimit, teksa Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt saj, e pikësëpari as nuk e ka pranuar marrëveshjen.

Po ashtu, është berë e ditur se tema të diskutimit ishin edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes.

Më 04.10.2024 në forumin 2BS në Budvë të Malit të Zi, Lajçak kishte thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, sepse, sipas tij, ato ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian.

Ai përkujtoi se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në fillim të vitit të kaluar për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se, sot, 18 muaj më vonë, nuk ka përparim të dukshëm në zbatimin e saj.