Kryeministri Albin Kurti dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak - Foto: ZKM

Detaje nga takimi Kurti-Lajçak

Mbarëvajtja e deritanishme e takimeve në kuadër të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi, kanë qenë disa nga temat e diskutimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

Në komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se Kurti ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

“Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Lajçak folën edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.  Ai theksoi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, të furnizimit dhe pagesës së energjisë në katër komunat në veri të vendit”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, në saje të kësaj marrëveshjeje, pas më shumë se 20 vitesh, katër komunat në veriun e Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë. Me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit.

Lajçak do të qëndrojë në Kosovë deri më 29 qershor, ku do t’i takojë edhe përfaqësuesit e partive parlamentare.

Përveç takimit me Kurtin, Lajçak gjatë kësaj vizite do të takohet me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Zyra e BE-së në Prishtinë kishte njoftuar se gjatë qëndrimit në Kosovë, Lajçak planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës.

Lajçak në Kosovë, nis takimin me Kurtin