Detaje nga takimi i presidentes Osmani me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut

Bashkëpunimi i institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në përgjatë viteve, raportet bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë kanë qenë disa nga temat që janë diskutuar në takimin mes presidentes Vjosa Osmani dhe ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Diplomati Bujar Osmani vizitën e tij në Kosovë e realizoi si kryesues aktual i misionit të OSBE-së, ku tako presidenten Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Në komunikatën për media të Presidencës bëhet e ditur se Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Osmani dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut si kryesues të sivjetmë të OSBE-së.

“Diskutuan mbi mbështetjen e OSBE-së për Republikën e Kosovës në të kaluarën, dhe bashkëpunimin aktual, në veçanti, Presidentja Osmani ka përmendur vazhdimin e bashkëpunimit për fuqizimin e vajzave, grave dhe rinisë, me theks të veçantë në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”-  thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe promovimit të të drejtave të njeriut, të cilat tanimë po njihen ndërkombëtarisht.

Tutje, sipas komunikatës presidentja Osmani ka shprehu përkushtimin e institucioneve të Republikës për vazhdim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e saj për ta avancuar rrugën euroatlantike të vendit tonë, i cili mbetet prioritet shtetëror.

“Në temën e raporteve bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Presidentja Osmani ka vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të tyre”- thuhet tutje në komunikatë.

Presidentja Osmani dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Osmani kanë folur edhe për dialogun me Serbinë, me ç’rast, Presidentja Osmani sipas komunikatës ka theksuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë karshi marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa ka përmendur angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

Ministri i Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani është duke qëndruar sot në Kosovë, ai është pritur në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Nis takimi Kurti-Osmani