Detaje nga takimi i presidentes Osmani me komandantin e FSK-së

Planet strategjike dhe kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë qenë disa nga temat që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka diskutuar në takimin e mbajtur me komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant, Bashkim Jashari.

Osmani e cila sot qëndroi në Ministrinë e Mbrojtjes si dhe në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, tregoi detaje nga takimi me Jasharin.

“Në detaje diskutuam të gjitha çështjet që kanë të bëjnë më mbrojtjen e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe në dritë të zhvillimeve të fundit në Evropë, kemi diskutuar zhvillimet në rajon të gjitha kapacitet e FSK-së, të gjitha planet strategjike dhe dokumentet strategjike në të cilat po punohet si dhe për dinamikën e shtuar në bazë të së cilës FSK-ja është duke punuar që nga emërimi i komandantit të ri”, tha ajo.

Po ashtu në këtë takim sipas Osmanit është biseduar edhe për partneritetin strategjik me shtetet mike, në veçanti me SHBA-të,

“Natyrisht FSK po i rrit kapacitet operacionale dhe ndërvepruese me NATO-n në këtë organizatë ku FSK-ja e ka vendin dhe ku po punojmë të gjithë bashkërisht që sa më parë të kemi fillimisht anëtarësimin në Partneritetin për Paqe e pastaj në përputhje edhe me zhvillimet edhe në FSK edhe me Planin e tranzicionit por edhe me përkrahjen që do ta kemi nga miqtë tanë për anëtarësime të plotë në NATO”, tha ajo.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant, Bashkim Jashari, tha që në këtë e ka njoftuar presidenten me zhvillimet dhe aktivitetet e FSK-së dhe ‘e garantuam që FSK është duke u trajnuar dhe pajisur me standarde në NATO-s”.

Forca e Sigurisë së Kosovës synon që të anëtarësohet në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriu (NATO).

Më 9 mars të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka miratuar kërkesën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,  Donika Gërvalla- Shwarz për formimin e grupit ndërinstitucional për anëtarësimin  e Republikës së Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Kontrolluesi i Fakteve të BIRN: A ka Kosova një shans për t’u anëtarësuar në NATO?