Detaje nga sekuestrimi i 83.5 kg heroinë, në proces të sekuestrimit edhe disa prona në Brezovicë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me sekuestrimin e mbi 83-kg heroinë.

Kjo substancë narkotike, sipas Policisë, është sekuestruar në pikën kufitare në Han të Elezit.

Në këtë vendkalim kufitar ishte ndaluar një kamion me targa të Turqisë.

Brenda këtij mjeti lëvizës thuhet se është gjetur heroina.

Lidhur me rastin Policia ka thënë se ka arrestuar shtatë persona, ku njëri nga ta thuhet se është shtetas i Turqisë.

Në operacionin policor të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Sektori Qendror, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës përpos sekuestrimit të heroinës janë janë sekuestruar dhe një kombibus, një veturë, dy armë zjarri me 5 fishekë, para të gatshme 11 mijë e 630 euro, 55 dollarë, 670 dinar të Maqedonisë, 8 mijë e 250 lira turke, 12 telefona celularë dhe disa dokumente.

Sipas njoftimit të Policisë, në proces të sekuestrimit janë edhe 12 vetura, një shtëpi dhe villa në Brezovicë.

Tutje është treguar se të gjithë personat e dyshuar me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe se ngjarja po vazhdon të hetohet.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Ferizaj së bashku me Policinë dhe Doganën dje kanë mbajtur një konferencë për media.

Prokurori Shukri Jashari kishte dhënë detaje lidhur me aksionin.

“Në terminalin doganor të Hanit të Elezit është arritur të konfiskohet heroina, distanconi ishte për në Prishtinë. Për momentin janë duke u zhvilluar bastisje në pesë lokacione, gjatë këtij aksioni janë arrestuar shtatë persona ndërsa dy persona janë në kërkim”, kishte thënë kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

Ndërsa Reshat Murseli nga Drejtoria e antidrogës në Policinë e Kosovës kishte konfirmuar sasinë e drogës së konfiskuar.

“Kemi arritur të konfiskojmë 83.5 kg heroinë, kemi vazhduar me disa bastisje në rajonin e Prishtinës dhe Pejës. Janë konfiskuar edhe dy vetura. Lidhur me këto veprime Drejtoria e Antidrogës falënderon Doganën e Kosovës për bashkëpunim po ashtu edhe Policinë Kufitare”, ishte shprehur Murseli.

Pamjet e heroinës së konfiskuar:

Prokuroria e Ferizajt: Janë konfiskuar 83.5 kg heroinë, janë arrestuar 7 persona, dy të dyshuar janë në kërkim