(Arkiv) Policë të Kosovës në veri të Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Detaje nga rasti në Zubin Potok ku polici përdori armën për shmangie të rrezikut

Një zyrtar policor i Kosovës është detyruar mbrëmë ta përdorë armën e zjarrit në drejtim të një veture në fshatin Banjë të Zubin Potokut me qëllim të shmangies së rrezikut për jetën e tij dhe të kolegëve të tij.

Një veprim i tillë erdhi pasi një person i dyshuar, drejtues i veturës “Audi” nuk ndaloi për kontroll rutinor pas sinjalizimit që mori nga ana e zyrtarëve .

Ai më të vërejtur Policinë kishte rritur shpejtësinë për të ikur nga ndalimi, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policorë dhe duke e detyruar njërin nga policët që të përdor armën.

Në vazhdimësinë e hetimit të këtij rasti, gjatë realizimit të detyrave policore, janë ndaluar dy automjete të tjera të cilat kanë ardhur në atë lokacion, e që Policia tha se dyshohet se mund të ndërlidhen me veturën e dyshuar.

Në këto vetura është thënë se gjendeshin pesë persona, të cilët tregohet se janë dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Për të njëjtën sot është njoftuar se pas përfundimit të procedurave ata me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ngjarja në fjalë kishte ndodhur rreth orës 19:20 gjatë kohës sa njësia policore ndodhej në një pikë kontrolli në një rrugë ilegale, duke realizuar detyrat dhe autorizimet e saj ligjore në garantimin e sigurisë.

Sipas njoftimit të Policisë në këtë pikë kontrolli, ka qarkulluar automjeti xhip “Audi”, përderisa zyrtarët policorë, sipas procedurave, kanë sinjalizuar automjetin me bateri që të ndalojë, por që ky urdhër nuk është realizuar.

Në raportin e sotëm 24-orësh është thënë se rasti po vazhdon të hetohet nga njësitë relevante policore.

Zubin Potok, polici detyrohet ta përdorë armën ndaj një personi që nuk zbatoi sinjalizimin për ndalje