Detaje rreth rastit në Prishtinë ku babai dyshohet se tentoi ta vriste djalin e tij

Një burrë 65-vjeçar dyshohet se ka tentuar të vrasë të birin në mëngjesin e sotëm në fshatin Bardhosh të Prishtinës.

Siç mëson KALLXO.com, viktima në këtë rast është djali i 65-vjeçarit. Ky i fundit është arrestuar nga zyrtarët policorë.

Lidhur me rastin, zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për KALLXO.com se 65-vjeçari është ndaluar për 48 orë.

Ajo tregoi se i arrestuari dyshohet për kryerjen e veprave penale – armëmbajtje pa leje,  dhe – vrasje e rëndë në tentativë.

“I dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për t’i ndriçuar rrethanat e këtij rasti” – ka thënë Ulaj.

Për rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka treguar se viktima është goditur me mjet të fortë në kokë edhe atij i janë shkaktuar lëndime trupore.

“Sot rreth orës 07:00 kemi marrë informatën se në fshatin Bardhosh të Prishtinës, një person i dyshuar ka goditur në kokë viktimën me një mjet të fortë dhe të njëjtit i ka shkaktuar lëndime trupore” – ka thënë Ahmeti.

Tutje ajo ka treguar se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti, i cili është cilësuar – vrasje e rëndë në tentativë.

Sipas Ahemtit, personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.

Prishtinë, babai dyshohet se tentoi ta vrasë djalin e tij, e goditi me mjet të fortë në kokë