Ura e Ibrit. Foto e raportit për stabilitetin e Urës së Ibrit. Fotografi e publikuar nga zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Detaje nga raporti për Urën e Ibrit: Mund të shfrytëzohet pa asnjë kufizim

Raporti preliminar i përpiluar nga kompania që ka bërë testimet dhe matjet për stabilitetin e Urës së Ibrit konkludon se ura në fjalë mund të përdoret për qarkullim të automjeteve pa asnjë kufizim në ngarkesë.

I dorëzuar nga kompanisa “IPE-PROING” në Ministri të Infrastrukturës, raporti i cili mbështetet në tri pika për të dhënë në fund një konkludim se Ura e Ibrit është stabile është publikuar nga zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, më 13.08.2024.

Aty shkruan se struktura e urës e trafikut rrugor, mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës, ka një strukturë stabile, të qëndrueshme dhe funksionale për shfrytëzim pothuajse ashtu si është projektuar dhe ndërtuar. 

Si e tillë, raporti vë në pah se Ura e Ibrit mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë nga ato të parapara me projekt (të kohës kur është ndërtuar) dhe ka kapacitetet e mjaftueshme edhe për ngarkesat projektuese sipas modelit të ngarkesave të parapara me standardin europian për ngarkesa EC-1, ose EC-1991, pjesa-3.

Nga krahasimet që janë bërë, në raport shkruan se rezulton se uljet e matura janë shumë herë më të vogla se ato të lejuara.

Në pikën një (1) të raportit shkruan se gjatë testimit të rezultateve te struktura e urës me ngarkesë testuese është vlerësuar se struktura e urës ka reaguar si një strukturë elastike me ulje-deformime të kufizuara dhe të qëndrueshme, si dhe pa plasaritje.

“Pas shkarkimit të strukturës së urës nga ngarkesat testuese, të gjitha uljet-deformimet kanë qenë kthyese, ku ulje-deformime të pakthyeshme po thuajse nuk ka pasur ose kanë qenë të pa përfillshme”- shkruan në raport.

Tri pikat kryesore të plota të raportit:

1. Gjatë testimit të rezultateve te struktura e urës me ngarkesë testuese është vlerësuar se struktura e urës ka reaguar si një strukturë elastike me ulje-deformime të kufizuara dhe të qëndrueshme, si dhe pa plasaritje. Pas shkarkimit të strukturës së urës nga ngarkesat testuese, të gjitha uljet-deformimet kanë qenë kthyese, ku ulje-deformime të pakthyeshme po thuajse nuk ka pasur ose kanë qenë të pa përfillshme.

2. Të gjitha uljet-deformimet si nga ngarkesat statike po ashtu edhe nga ngarkesat dinamike janë brenda kufijve të lejuar dhe pritet të jenë më të vogla se ato të kalkuluara, gjatë analizës së modelit me ngarkesë ekuivalente me atë të testimit si dhe rezultatet e marra nga ngarkesa projektuese LM1sipas EC1. 

3. Duke iu referuar standardeve: AASHTO 8th (clause 2.5.2.6.2) dhe B5 5400-3-2000 uljet maksimale nga ngarkesat e trafikut janë të kufizuar në raporte me hapësirën dhe atë L/800. Uljet maksimale të lejuara dhe ato të matura për strukturën e urës në fushën me hapësirë maksimale L=25.0m, janë:

Uljet e lejuara L/800=(25.0*100/800)3.12 cm= 31.2 mm

Uljet max të matura = 4.2mm<< 31.5 mm

Nga këto krahasime rezulton se uljet e matura janë shumë herë më të vogla se ato të lejuara.

Ky raport i hap rrugë raportit përfundimtar – gjë që i hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.

Durmishi ka thënë se do të presin edhe raportin final për të pasur edhe rezultatet përfundimtare mbi funksionalitetin e Urës së Ibrit sa i përket aspektit teknik.

“Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”- ka njoftuar Durmishi në Facebook.

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit po pritet me diskutime, krahëhapur në njërën anë dhe me kundërshti nga faktori ndërkombëtar.

Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kështu ka paralajmëruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“BE planifikon ta vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut”- ka thënë ai në një përgjigje për KALLXO.com më 13.08.2024.

Edhe SHBA i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Hapja e urës “i ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”- tha kryeministri Albin Kurti, më 18.07.2024, një ditë pas takimit  paraprak që mbajti me ambasadorët e QUINT për këtë çështje.

Për kryeministrin e vendit, hapja e tërësishme e urës për qarkullim është “simbol i normalizimit”.

Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.