Detaje nga prokuroria: Rojtari i gjetur në Badovc kishte plagë nga arma
Një burrë ishte gjetur i vdekur në një pyll në afërsi të Liqenit të Badovcit mbrëmë.
KALLXO.com merr vesh se viktima kishte qenë rojtar pylli.
Për këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Zëdhënësen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Ajo tha se viktima e gjetur dyshohet se ka pasur plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.
“Po deri më tani çka mundem të ju konfirmoj është se viktima ka punuar si rojtar i pyllit dhe është gjetur i vdekur në vendin e tij të punës. Kur është gjetur viktima ka pasur plagë të cilat dyshohen se janë shkaktuar nga arma e zjarrit. Prokurori i rastit do të lëshoj urdhëresë gjatë ditës së sotme për tu kryer edhe autopsia e viktimës”, tha Ulaj për KALLXO.com.
Tutje Ulaj, tregoi edhe se rasti në prokurori është cilësuar si vrasje e rëndë ndërsa ende nuk ka ndonjë person të dyshuar.
KALLXO.com raportoi mbrëmjen e kaluar në lidhje me këtë rast.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha kishte konfirmuar se viktima ishte gjetur rreth orës 21:50 në pyll në afërsi të Liqenit të Badovcit.
“Mund të ju konfirmoj që me datë 18.12.2019, rreth orës 21:50, në një distancë nga rruga Graçanicë- Gjilan, në pyll është gjetur një person vdekja e të cilit është konfirmuar nga ekipi i ambulantes. Njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti”, ka thënë mbrëmë Hoxha për KALLXO.com.