Detaje nga Prokuroria për arrestimet që ndodhën pas vrasjes tragjike në Gllogjan - VIDEO

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj ka dhënë detaje të reja në lidhje me arrestimet që kanë ndodhur pas vrasjes që ka ndodhur më 26 nëntor në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit. 

KALLXO.com raportoi se janë arrestuar tre persona të cilët dyshohet se kanë lidhje me rastin ndërsa kujtojmë se ditë më parë janë kryer edhe disa bastisje në disa lokacione të caktuara në lidhje me këtë ngjarje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj tha se: “Janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen që ka ndodhur para disa ditëve në Gllogjan”. 

Arrestimi sipas Kurmehajt erdhi pas hetimeve intensive.

“Pas vrasjes kemi filluar hetimet intensive, pas punës intensive me vendimin e prokurores së rastit janë arrestuar tre persona nën dyshimin se kishin kryer vrasjen e rëndë. Prokurorja e rastit ka caktuar dhe ka lëshuar vendimin 48 orë për ndalim”, tha tutje Kurmehaj. 

Ai shtoi se nuk mund të japin detaje të tjera në lidhje me rastin për shkak të ngjarjes së rëndë. 

Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj tha se për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk do pranojë pyetje nga gazetarët.