Ilustrim

Detaje nga Prokuroria - Çka u konfiskua në aksionin kundër fajdeve në 4 qytete të Kosovës

13 persona janë arrestuar, në mesin e të cilëve edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës, nga aksioni i djeshëm i Prokurorisë në Prizren kundër fajdes dhe bixhozit në katër qytete të Kosovës.

Aksioni ka qenë i shtrirë në Prishtinë, Prizren, Malishevë e Suharekë.

Prokuroria, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në këtë aksion janë bastisur 19 lokacione dhe në cilësi të provave janë sekuestruar 55 mijë e 388 euro para të gatshme; 1 mijë e 700 franga zvicerane; 50 mijë lekë; 100 dollar dhe 1 mijë e 320 dinar serb.

Po ashtu, Prokuroria ka njoftuar se kanë gjetur dhe konfiskuar dy armë; 39 copë municion; 29 telefona mobil; 1 llaptop; 2 USB; 350 pako cigare pa banderola dhe 6 vetura.

“Personat e arrestuar gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor Prokuroria Themelore në Prizren për të njëjtit, do të kërkoj nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit” – thuhet në komunikatë.

Prokuroria e Shtetit bën të ditur se të personat e arrestuar dyshohen për veprat penale ‘Organizimi i skemave primidale’, ‘Fajde’, ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Sulm’, ‘Detyrim’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

KALLXO.com dje gjatë ditës ka raportuar ekskluzivisht për këtë aksion të Prokurorisë, Policisë dhe IPK-së.

Aksion i gjerë në disa lokacione në Kosovë kundër fajdeve dhe detyrimit, i dyshuar edhe një polic