
Detaje nga Policia: Përveç nxënësve, qeni sulmoi edhe disa policë - arrestohet pronari
Disa nxënës dhe disa zyrtarë policorë kanë marrë lëndime, pasi janë sulmuar nga një qen i cili kishte hyrë brenda objektit të shkollës “17 shkurti” në Shirokë të Suharekës.
Policia ka dhënë detaje për ngjarjen duke njoftuar se rasti është raportuar, më 22.01.2025, rreth orës 09:50 minuta.
Dy nxënës kanë marrë lëndime nga sulmi i qenit dhe janë duke marrë trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Një nxënëse e lindur në vitin 2017 ka lëndime më serioze në kokë nga kafshimi i qenit – thekson Policia për KALLXO.com.
Ndërkaq, sipas PK-së, dy nxënës kanë marrë lëndime të lehta gjatë ikjes.
“Patrullat policore i janë përgjigjur rastit me urgjencë. Kur kanë arritur në shkollë kanë vërejtur një qen brenda shkollës, i cili kishte sulmuar nxënësit e shkollës dhe paraqiste rrezik potencial ende. Qeni ka sulmuar edhe policët, mirëpo në shpejtësi është asgjësuar – duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm.” – ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.
Tutje, ai njoftoi se Policia ka ndihmuar nxënësit të dërgohen në urgjencë për mjekim e ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, në lidhje me rastin në fjalë.
Për ngjarjen është njoftuar Prokurori kompetent, Hetimet Rajonale në Prizren, IPK-ja si dhe është identifikuar pronari i qenit dhe i njëjti është arrestuar.
Rasti është iniciuar, si: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Policia shton se Njësitet përkatëse policore janë duke hetuar rastin.