Foto: KALLXO.com Ilustrim

Detaje nga Policia për arrestimet në Prishtinë: Shtetasi i huaj kërkohej për mashtrim

Disa persona janë arrestuar në orët e pasdites së sotme në Prishtinë nga njësitet speciale policore.

Policia e Kosovës për KALLXO.com kanë thënë se i gjithë aksioni është ndërmarrë nga njësia FAST Kosova me disa institucione të tjera të sigurisë.

Të njëjtit kanë arrestuar një person shtetas i huaj, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nën dyshimin se ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Përveç shtetasit të huaj, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për drogë.

“Gjatë operacionit policor në lokacionin ku është arrestuar i kërkuari i lartcekur me urdhër arrest ndërkombëtar janë arrestuar  edhe dy persona tjerë të dyshuar se posedonin lëndë narkotike dhe veprime policore janë ne proces nga njësitet e anti-drogës së Policisë së Kosovës”, tha për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Ai shtoi se detaje të tjera do të zbulohen pas kompletimit të operacionit për shkak të procedurave policore nga ana e institucioneve të përfshira në rast.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës për të njëjtin aksion.