Detaje nga plagosja e një personi në 'Veternik'

Në një lokal në lagjen “Veternik “në Prishtinë ka mbetur i plagosur një person, pasi dyshohet se persona të panjohur e kanë qëlluar atë me armë zjarri.

Lidhur me rastin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë për KALLXO.com se na bashkëpunim me organet e tjera kompetente janë duke punuar në identifikimin e personave që kanë kryer aktin.

“Me autorizim të prokurorit të shtetit Policia është duke i ndërmarrë veprimet hetimore, me qëllim të identifikimit të personave të dyshuar, si dhe sqarimit të të gjitha rrethanave”, ka thënë Ulaj për KALLXO.com.

Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka treguar se në mëngjesin e djeshme një person është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pasi që dyshohet se nga persona të panjohur është plagosur me armë zjarri në një lokal.

Në raportin e Policisë thuhet se sipas mjekut, viktima është jashtë rrezikut për jetë dhe se rasti është duke u hetuar si “Lëndim i rëndë trupor”.

Ndërsa nga QKUK-ja kanë thënë për KALLXO.com se personi pas marrjes së ndihmës së parë është liruar për në shtëpi.

U plagos në një lokal, dërgohet në QKUK