Foto: KALLXO.com

Detaje nga operacioni 'Pika 2' i IPK-së në pikën kufitare në Vërmicë

Dy rreshterë të Policisë së Kosovës dhe 24 zyrtarë policorë të tjerë janë arrestuar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Për të arrestuarit IPK si pjesë të procedurave administrative ka dhënë rekomandimin për suspendim nga detyrat e punës për këta zyrtarë.

Në njoftimin e IPK-së është treguar se operacioni është realizuar në bashkëpunim me Prokurorinë  Speciale.

Po ashtu, kjo prokurori kishte autorizuar hetuesit e IPK-së që të përfshijnë edhe masa të fshehta dhe teknike të vëzhgimit si dhe masa të nevojshme që të zbulohen dhe të ruhen gjurmët dhe provat tjera të veprave penale.

Prokuroria Speciale kishe autorizuar hetuesit e IPK-së që të ruanin dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale.

Hetimi i IPK-së ka përfshirë edhe bashkëpunimin me Strukturën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK) dhe Agjencinë për Mbikëqyrje Policore (AMP), e cila është agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri.

Kjo përfshirje ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në Republikën e Shqipërisë.

KALLXO.com ka raportuar se në shtetin fqinj janë arrestuar dhjetëra policë dhe janë pezulluar nga detyra nën dyshimin për “veprime korruptive”.

Në anën tjetër, më 14 mars të këtij viti IPK kishte zhvilluar një operacion të njëjtë në stacionin kufitar në Gjakovë.

Ky operacion kishte lënë të arrestuar 48 zyrtarë policorë dhe dy doganierë.

Aksion për korrupsion në Gjakovë, cak policia kufitare-Pamje