Detaje nga operacioni i policisë ku u zbuluan mbi 20 kilogramë marihuanë

Pesë persona të dyshuar janë arrestuar dhe 20 kilogramë marihuanë janë konfiskuar në kuadër të një plani operativ të Policisë së Kosovës i cili u zhvillua mbrëmë.

Policia ka bërë të ditur se në lidhje me këtë rast ka zhvilluar hetim për dy muaj rresht.

Dje, njësia e Drejtorisë së Hetimit të Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, ka ndaluar tri vetura të dyshuara në të cilat janë hasur personat e dyshuar B. D., A. D., A. Sh., A. B., dhe R. I, që më pas u arrestuan.

“Gjatë realizimit të kontrollimit të personave dhe veturave të dyshuara, në një nga veturat e ndaluara është gjetur një sasi e narkotikëve të llojit “Marihuanë” me peshë të përgjithshme prej 13 kilogramë e 800 gram, së bashku me mbështjellës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje policia ka bërë të ditur se në lidhje me këtë rast, është realizuar edhe një kontroll i lokacioneve të cilat dyshohet se janë shfrytëzuar për fshehje të substancave narkotike.

“Gjatë realizimit të këtij kontrolli tek të dyshuarit janë gjetur 5 paketime me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 6 kilogram e 206 gram, 3 peshore elektronike, qese për paketim të substancës narkotike, folje alumini, një palë doreza, një armë zjarri, një karikator, tre fishekë, 11 paktime dhe një cigare të mbushura me substancë të llojit Marihuanë me peshë 25.1gram, dhe 7 mijë e 540 euro”, thuhet në njofitmin e policisë.

Tutje policia ka bërë të ditur se pesha e përgjithshme e sasisë së konfiskuar të substancës narkotike arrin në 20 kilogram e 31.1 gram, ndërsa përveç gjësendeve të cekura më lartë, poashtu është bërë edhe konsifkimi i pesë telefonave celularë dhe tri veturave të përfshira në rast si prova materiale që ndërlidhen me rastin .

“Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të mbrojtësve të tyre dhe me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në qendër të mbajtjes”, njofton policia.