Detaje nga IKSHP për 37 të prekurit me coronavirus

37 raste të reja janë konfirmuar sonte të prekura me coronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 353 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Gjithsej 37 persona kanë rezultuar pozitiv nga mostrat e marra.

Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë raste me vendbanim në Lipjan, tetë raste me vendbanim në Pejë, gjashtë raste me vendbanim në Prishtinë, pesë raste me vendbanim në Skorobishtë-Prizren, katër raste nga Komuna e Podujevës, sipas vendbanimit dy  raste Podujevë dhe dy raste Pollatë, dy raste nga komuna e Zubin Potokut dhe nga një rast vendbanimet: Pjetërshticë-Shtime, Stubëll-Viti dhe Zveçan.

Sot më 20 prill 2020, janë shëruar edhe 21 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 123.

Nga komuna e Mitrovicës së Veriut janë raportuar dy raste të vdekjes dhe nga komuna e Leposaviqit një rast i vdekjes.

Nga data 08 shkurt deri më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.009 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej pesëqind e nëntëdhjetë e tetë (598) raste, ndërsa gjithsej (15) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 6351 kontakte të rasteve.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 20 prill 2020 sipas Ëorldometers, janë raportuar gjithsej 2.467.524 raste të COVID-19 dhe 169.398 raste të vdekjes.