Foto-ilustrim

Detaje nga dosja e Prokurorisë rreth rrëmbimit dhe torturimit në Prizren të biznesmenit nga Turqia

Një biznesmen nga Turqia ishte rrëmbyer në Prizren më 17 shtator 2019.

Dosja e Prokurorisë së Prizrenit, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, shpalos fakte rreth rrethanave të rrëmbimit e më pas të torturimit të biznesmenin Recep Adsan.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Blerim Berishës, Abdula Morinës, Yusuf Morinës, Lëndim Morinës dhe Dibran Gashit.

Prokuroria po pretendon se ata ishin marrë vesh paraprakisht për rrëmbimin e shtetasit turk.

Në aktakuzë thuhet se rrëmbimi është kryer në parkun e qytetit të Prizrenit. Rrëmbimi ishte organizuar nga Abdulah Morina, së bashku me vëllanë e tij, Yusuf Morina.

Prokuroria pretendon se Abdula Morina e merr të dëmtuarin Recep Adsan në veturën e tij, duke e shoqëruar në parkun e qytetit, ku ishte duke pritur i akuzuari Lëndim Berisha, Blerim Berisha dhe Dibran Gashi. Këta së bashku në parkun e qytetit takohen me Abdula Morinën dhe pastaj me një automjet të cilin e drejtonte Dibran Gashi, ku ishte edhe Lëndim Berisha, e marrin të dëmtuarin Recep Adsan dhe largohen nga parku duke dalë jashtë qytetit të Prizrenit, duke pritur para automjetit të cilin e drejtonte Blerim Berisha.

Siç përshkruhet në aktakuzë, Dibran Gashi dhe Lëndim Berisha ndalen dhe zhvillojnë një bisedë në automjetin e Blerim Berishës, të cilët kthehen dhe ia lidhin këmbët dhe duart të dëmtuarit, duke e mbajtur vazhdimisht armën në drejtim të tij. Pastaj, të dëmtuarin e dërgojnë në fshatin Hoqë të Qytetit.

Më pas, nga vëllai i të dëmtuarit, i cili gjendej në Turqi,  përmes telefonit të dyshuarit kërkojnë shumën prej 50 mijë euro duke e kërcënuar se nëse nuk i dorëzon të hollat do ta vrasin Recep Adsanin.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari është mbajtur i lidhur dhe ndaj tij është përdorur dhunë deri më 21 shtator 2019.

Të akuzuarit Abdula Morina, Yusuf Morina dhe Lëndim Morina më 23 tetor 2020 kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Kështu, Abdula Morina dhe Yusuf Morina, ishin dënuar me 20 muaj burgim, ndërsa i akuzuari Lëndim Berisha ishte dënuar me 12 muaj burgim në të cilën po ashtu të pandehurve iu është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Kurse, sa i përket të akuzuarit Dibran Gashi, i cili po ashtu pretendohet se kishte marrë pjesë në rrëmbim e shtetasit turk, KALLXO.com merr vesh se gjendet ende në arrati.

Ndërsa, gjykimi i sotëm ndaj të akuzuarit Blerim Berisha ka dështuar të mbahet.

Shkak i dështimit të kësaj seance ishte mungesa e të dëmtuarit Recep Adsan.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, bëri të ditur se Ministrisë së Drejtësisë, Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, më 2 mars 2021 i ishte drejtuar me një kërkesë në lidhje me prezencën e të dëmtuarit Recep Adsan në gjykim, mirëpo në përgjigjen e marrë kërkesa nuk u zbatua.

“Kërkesa nuk është ekzekutuar me arsyetimin se përkthimi nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe kërkesa nuk ka qenë e qartë”, konstatoi gjyqtarja Elezi.

Duke patur parasysh këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimi i sotëm nuk u mbajt dhe u shty për më 6 tetor 2021.