Detaje nga dosja e Prokurorisë që rëndon ndaj policëve dhe doganierëve të arrestuar dje

48 policët e arrestuar të hënën, dhe 2 doganierët janë ulur sot në bankat e të pandehurve për t’u ballafaquar me kërkesën e Prokurorisë Sspeciale për veprimet që ata po hetohen.

KALLXO.com para pak minutash ka raportuar për hetimet që po rëndojnë për një pjese të të arrestuarve.

Dosja tjetër e prokurorisë tregon se 22 policë dhe 2 doganierë janë përfshirë në aktivitete të krimit të organizuar.

Policët që po dyshohet për krim të organizuar nga kjo dosje janë polici Artan Thaqi, Agron Bejtullahu, Afrim Deda, Avdi Perolli, Benon Këpuska, Isa Ibrahimi, Kreshnik Arllati, Labinot Morina, Malë Berisha, Mehmet Manxhuka, Osmon Smajlaj, Sami Hajdari, Shaqir Krasniqi, Uran Mati, Agif Blyta, Blerim Xhiha, Bardhec Berisha, Burim Kajtazi, Bekim Berdynaj, Kol Biblekaj, Mehdi Ukshini dhe Ramiz Ahmetaj.

Ndërsa doganieret e dyshuar për përfshirje në krim të organizuar janë Senad Zherka dhe Enis Turtulla.

Dosja e prokurorisë thotë se ekziston dyshimi që të lartcekurit janë përfshirë në aktivitete të krimit të organizuar prej periudhës gusht deri në dhjetor të vitit 2021 në pikën kufitare “Qafë Prush” në Regjionin e Gjakovës.

Dosja tregon se policët dhe doganierët kanë vepruar në mënyrë të organizuar por edhe individuale duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare në këtë pikë, pasi që kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Hetimet thonë që ryshfeti është marrë me qëllim që qytetarëve të iu lejohet të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës përmes shmangies së tarifave doganore të përcaktuara me ligj, e po ashtu në kundërshtim me vendimet e qeverisë së Kosovës ndaj COVID-19.

Shumat e parave të pranuara nga qytetarë të ndryshëm sipas prokurorisë shkojnë deri në 400 euro.

Me këto veprime ata po dyshohen se kanë kryer vepra të ndryshme penale, pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar, marrja e ryshfetit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe kontrabandim i mallrave.

Pranë gjykatës në Prishtinë është duke u mbajtur seanca dëgjimore lidhur me kërkesën e prokurorisë.