Detaje nga biseda telefonike Kurti-Merkel

Pas bisedës telefonike të zhvilluar sot mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, zëdhënësat e dy qeverive kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

Zëdhënësi të Qeverisë gjermane , Steffen Seibert dhe ai i Qeverisë së Kosovës,  Përparim Kryeziu, kanë thënë që Merkel dhe Kurti kanë shkëmbyer mendime për raportet bilaterale.

“Gjatë bisedës ata shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e ngushta bilaterale, përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për situatën në rajon. Kancelarja Merkel i ofroi kryeministrit Kurti mbështetje në luftën kundër korrupsionit dhe programit të gjerë e ambicioz për reforma në vend”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës ‘Republika Federale ofroi këshilla specifike nga ekspertë gjermanë’.

Kurti dhe homologia gjermane kanë diskutuar edhe për luftën ndaj pandemisë së coronavirusit si dhe dialogut me Serbinë

“U diskutua edhe mbi dialogun e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu edhe për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina të vendosur në vitin 2018, nga qeveria e atëhershme”’, thuhet në njoftim.

Po ashtu në këtë njoftim bëhet e ditur se Merkel ka mbështetur planin e Kurtit për tarifën ndaj mallrave Serbe.

“Kancelarja përshëndeti propozim-vendimin e kryeministrit kosovar për heqjen e plotë të tarifës pas datës 1 prill, kjo pas heqjes së tarifës për lëndën e parë në javën që shkoi. Ajo gjithashtu mbështeti një dialog, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili duhet të synojë heqjen e të gjitha pengesave tregtare jo-tarifore midis Serbisë dhe Kosovës.  Të dy besojnë se nuk duhet të ketë pengesa në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet tuje aty.

Ashtu si Kurti edhe Merkel mbështesin fillimin e dialogut me Serbinë.

“Kancelarja dhe Kryeministri i Kosovës mbështesin rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i këtij procesi mbetet arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese që siguron normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe e cila i shërben popujve të të dy shteteve”, thuhet tutje aty.

Kurti flet në telefon me Angela Merkel