Ilustrim

Detaje nga arrestimin i të dyshuarës për mashtrim me viza pune të Gjermanisë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e një gruaje në Prishtinë, e cila po dyshohet se kishte mashtruar disa persona për sigurimin e termineve për viza pune në Gjermani.

Në një komunikatë për media, Policia ka thënë se e arrestuara dyshohet se mori nga së paku nëntë persona shuma të ndryshme parash, duke ju premtuar terminë për viza pune.

Sipas kësaj komunikate, e dyshuara A. B., 35-vjeçare me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia tha se lidhur me këtë rast policia ka sekuestruar disa pasaporta, dy telefona, shtëpizë kompjuteri, një shumë të parave e të tjera.

Tutje u tha se mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë  të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar.

Policia kërkoi nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar.

Arrestohet një grua në Prishtinë, dyshohet se mashtroi disa persona për termine të vizave të punës