Aksioni i IPK-së në Vërmicë, Foto: KALLXO.com

Detaje nga arrestimi i zyrtarëve policorë në Vërmicë - VIDEO

Sot është duke u zhvilluar edhe pjesa e dytë e arrestimeve nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës për zyrtarët policorë kufitar që dyshohen për korrupsion.

Kësaj radhe caku ishte pika kufitare në Vërmicë.

Lidhur më këtë IPK-ja ka dal më një komunikatë të përbashkët për media me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Sipas tyre, zyrtarët policorë po dyshohen për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje është thënë se hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë (SPAK-) dhe zyrtarët e Agjencisë për Mbikëqyrje Policore(AMP), e cila është agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri.

Në komunikatë është treguar se operacioni i IPK-së ka filluar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Ky operacion është koduar “Pika 2” dhe sipas komunikatës së IPK-së i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë.

“Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit”, thuhet në komunikatë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët lidhur me rastin.

Zyrtarët policor që janë cak i IPK-së sot do të prangosen e më pas do të dërgohen në objektin e IPK-së për intervistim.

IPK siç mëson KALLXO.com, ka siguruar pamje dhe dëshmi për zyrtarët policorë kufitar të pikës Vërmicë përmes teknikave të vëzhgimit dhe masave të fshehta.

Ky është aksioni i dytë që po zhvillohet brenda pak javësh për korrupsionin në pikat kufitare të Kosovës.

Në aksionin e parë te IPK janë arrestuar 48 zyrtarë policorë dhe dy doganierë. Ata ishin dërguar në mbajtje me vendim të gjykatës.

Vazhdon aksioni për arrestimet e zyrtarëve policorë kufitar për korrupsion – Pamje