Zafir Berisha, Koordinator Kombëtar për Siguri Kibernetike. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Detaje nga arrestimi i Zafir Berishës

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e ish-deputetit të Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha.

Policia ka thënë se ngjarja ka ndodhur të mërkurën në rrugën “Suzi Qelebi” në Prizren rreth orës 14:40.

Sipas Policisë, së bashku me Berishën është arrestuar edhe një i dyshuar tjetër pasi kishin ofenduar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.

Tutje është thënë se pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

KALLXO.com ka raportuar edhe dje lidhur me rastin.

Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, kishte folur rreth arrestimit të tij.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zafir Berisha ka thënë se është e pavërtetë se ka sulmuar policinë. Ai ka thënë se Policia e ka sulmuar atë dhe për këtë edhe ka dhënë deklaratën në stacionin policor.

Ai ka dhënë versionin e tij për rastin.

“Arsyet duhet me i ditë ata, për shkak se ka qenë parkingu para Shoqatës së Veteranëve, ku ishin më shumë se 30 makina, por veç e imja i pengoj atij djalit me biçikletë. Edhe, domethënë, është disa ditë rresht që po ndodh kjo dhe fillova të dyshoj për veprimet e atij policit, kur ma dha tiketën unë e gjuajta ndër makinë, ai filloi të reagojë deri kur e nxjerri sprejin lotsjellës e kështu më radhë…”, ka thënë Berisha përmes telefonit.

“Unë mendoj që ky djali (polici) mundet me qenë viktimë si mijëra të rinj, nga sekti në pushtet, të cilëve iu është shpërlarë truri kundër njerëzve të luftës. Edhe unë po them që ishin 30 makina ma keq se e jona”, shtoi zyrtari i Nismës Socialdemokrate.

Tutje, Berisha pretendon se kjo nuk është hera e parë që i ka ndodhur një gjë e tillë, ndërsa thotë se gabimi i tij është se ka ‘rënë në provokimin e policit’.

“Ai ka vepru si bandit, jo si polic. Unë e dhash deklaratën në Polici. Deklarata e tij që e kish bo film, mu më bëri shumë kureshtar dhe me dyshu në këtë që e thash, se ky është pjesë e “brigadave të kuqe”, domethënë të trushpërlarëve kundër njerëzve të luftës, që për 20 vite janë infektu me propagandën e Serbisë. Këtë po e them në bazë të asaj që e kish deklaruar ai për me arsyetu veprimin e vet”, ka thënë Berisha.

KALLXO.com dje raportoi për arrestimin e Zafir Berishës nën dyshimin se ka sharë, ofenduar, kërcënuar e sulmuar fizikisht zyrtarët policorë pasi ata i kishin vënë një gjobë për kundërvajtje në trafik.

sh-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, është arrestuar sot pasi dyshohet se i ka sharë dhe sulmuar zyrtarët policorë pasi ata i kishin shqiptuar një gjobë për kundërvajtje në trafik.

Burime të KALLXO.com nga Policia në Prizren e kanë konfirmuar lajmin për arrestimin e Zafir Berishës.

Sipas këtyre burimeve, Zafir Berisha është shoqëruar në stacionin policor për shkak se pasi nuk është pajtuar me vendimin e policëve që i kanë shqiptuar një gjobë për kundërvajtje në trafik, i ka ofenduar dhe sulmuar zyrtarët policorë.

Pas këtij incidenti, Berisha është shoqëruar në stacionin policor dhe me rastin po merret njësiti i hetimeve i stacionit.

Arrestohet Zafir Berisha, dyshohet se ofendoi dhe sulmoi policët