Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Detaje nga arrestimi i një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas arrestimit të një shtetast të Kosovës në kufirin Serbi-Hungari nga Policia serbe.

Në një njoftim nga ana e MPJD-së është thënë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd ka vendosur kontaktin me autoritetet serbe dhe është në përpjekje për të sqaruar rrethanat.

KALLXO.com sot gjatë ditës ka raportuar lidhur me rastin.

Nipi i personit të arrestuar, Arlind Beqiraj, ka thënë se ngjarja ka ndodhur pasi Policia serbe po pretendon se i arrestuari ka një vepër penale të vitit 2010.

“Është ndalu kinse e ka një vepër penale në vitin 2010”, kishte thënë Beqiraj për KALLXO.com.

Tutje ai kishte treguar se familja e të arrestuarit kanë tentuar të kontaktojnë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, mirëpo të njëjtët nuk ia kanë hapur telefonin.

“Kemi tentu me telefonu me Ministrinë e Punëve të Jashtme, por nuk e kanë hapur telefonin”, pati thënë Beqiraj.

Sipas tij, familjari i tyre është në paraburgim.

KALLXO.com ka kontaktuar me kompaninë me të cilën ishte duke udhëtuar i arrestuari.

Pronari i kompanisë “Try Tours”, Shaqë Fetaj, ka thënë se pasagjerin e kanë ndaluar lidhur me një pengesë ligjore që e ka pasur para 12 viteve.

“E kanë ndalu lidhur me një rast të vitit 2010. Diçka tjetër nuk na kanë thanë, ata i kanë procedurat e veta”, kishte thënë Fetaj.

Autoritetet serbe arrestojnë një shtetas të Kosovës