llustrim

Detaje nga aktgjykimi i përfunduar, pse u liruan 12 të akuzuarit në rastin “Veteranët”

Gjykata e Prishtinës i ka liruar 12 të akuzuarit për rastin “Veteranët” me aktgjykimin e shpallur më 19 janar 2021.

Në këtë rast për keqpërdorim të pozitës akuzoheshin Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Sipas aktgjykimit, të përfunduar më 16 prill 2021, e të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Gjykata ka gjetur se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), nuk ka mundur të vërtetojë saktë dhe në mënyrë të plotë se në bazë të cilit ligj është bërë kategorizimi i veteranëve.

Tutje ceket se kanë qenë në fuqi dy ligje, ligji Nr.04/L-261 të cilit i është referuar Prokuroria dhe ligji Nr.04/L-054 që sipas Gjykatës nuk është marrë për bazë nga Prokuroria dhe se këto dy ligje kanë shkaktuar konfuzitet në KVSH, gjatë përcaktimi të statusit të veteranit.

Por sipas Gjykatës, Komisioni verifikues shtetëror (KVSH) ka vepruar sipas ligjit gjatë kryerjes së punës së saj dhe se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë për atë se anëtarët e KVSH kanë qenë në dijeni se janë duke e përmbyllur një proces të kundërligjshëm.

“Sa i përket pretendimit të PSRK se të akuzuarit si anëtarë të KVSH, ishin në dijeni se po përmbyllnin një proces të kundërligjshëm, bazuar në provat, përkatësisht vendimet e marra në KVSH, është gjetur se ky pretendim nuk qëndron. Marrë parasysh se të gjitha vendimet e nxjerra gjatë procesit të verifikimit, qartë tregojnë se qëllimi i anëtarëve të KVSH, përmes vendimeve të saj kishte për qëllim përmbylljen e një procesi në suaza ligjore”, thuhet në aktgjykim.

“Kjo Gjykatë vërtetoi se këto lista janë dorëzuar nga zonat operative të UÇK-së, të cilat nga komisioni janë pranuar si të tilla edhe përkundër faktit se është vërejtur një rritje në numër. Megjithatë bazuar në qëndrimin e dhënë nga Gjykata, gjatë vlerësimit të vendimeve të marra në mbledhjet e KVSH, nuk është gjetur se të akuzuarit ishin në dijeni se po përmbyllnin një proces të kundërligjshëm, kjo më së miri vërtetohet me debatet e zhvilluara në mbledhjen e 27-të”, thuhet gjithashtu në aktgjykimin e Gjykatës.

Më tej ceket edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës, i datës 1 qershor 2016, i nënshkruar nga kryeministri Mustafa, me të cilin vendim thuhet se ishte aprovuar raporti i KVSH, dhe se ishte konstatuar se “lista miratohet e papërmbyllur për veteranët e luftës së UÇK-së”, e kjo thuhet se ishte bërë me qëllim të lënies së mundësisë për të shqyrtuar dhe njëherë listat.

Në këtë aktgjykim, thuhet se, në bazë të këtij vendimi procesi nuk kishte përfunduar, po ashtu ceket edhe deklarata e Agim Çekut, i cili kishte thënë se “lëshimi i certifikatave nuk nënkupton automatikisht përfitimin e benificioneve”, sepse për të përfituar benificione është dashur të bëhej kompletimi i dokumenteve, të cilat duhej të dorëzoheshin në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Po ashtu ceket se Gjykata ka vërtetuar pafajësinë e të akuzuarve edhe nga dëshmitarët, të cilët kanë vërtetuar se anëtarët e KVSH kanë punuar në pajtim me ligjin.

Ndërsa për provën materiale, që ka të bëjë me listat e vjetra të periudhave të ndryshme të të gjitha zonave operative, të ushtarëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së dhe ato të hartuara nga ish-TMK, Gjykata ka vlerësuar se janë jorelevante për shkak se Prokuroria këtë provë nuk e ka ndërlidhur me veprimet inkriminuese të të akuzuarve.

Kurse sa i përket provës materiale për 19.500 aplikimet për statusin e veteranit në mënyrë të kundërligjshme dhe shuma prej 88.769.217.04 euro, shumë me të cilën Prokuroria ka pretenduar se është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës, thuhet se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë në mënyrë të saktë dhe të plotë, se gjithë këta persona a ishin përfitues të kundërligjshëm apo jo.

Kujtojmë se Gjykata e Prishtinës pati liruar nga akuzat këta 12 persona, të akuzuar për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së për 19,500 persona.

Ky vendim erdhi gati dy vjet e gjysmë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale.

Në këtë rast akuzoheshin: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës 12 anëtarët e Komisionit gjatë intervalit kohor nga data 28 tetor 2011 e deri më 31 janar 2017 në Prishtinë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit e luftës së UÇK-së, duke shfrytëzuar detyrën nga autoriteti zyrtar me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe i kanë tejkaluar kompetencat zyrtare me qëllim që të tjerëve t’u sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm në dëm të buxhetit të Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vazhdimësi të këtij procesi të akuzuarit e këtij procesi në cilësinë e anëtarëve të Komisionit në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni, ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Tutje në aktakuzë thuhet se, këtë e kanë bërë, përkundër faktit se nga aplikacione të plotësuara dhe dorëzuara vërtetohej qartë se ata u takonin kategorive të tjera të veteranëve si: pjesëtar të UÇK-së, që ishin caktuar të kryejnë detyra të tjera si në mbështetje politike, logjistike, financiare, shëndetësore dhe detyra të tjera të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë periudhës 1997-1999.