Ilustrim

Detaje nga aktakuza ndaj ish-policit serb: Maltretoi e torturoi vëllezërit nga Prishtina

Prokuroria Speciale gjatë ditës së sotme ka njoftuar se, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit N.A. për krime luftë kundër popullsisë civile.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën në të cilën prokuroria shpjegon se si kishte kryer veprën penale i pandehuri ku tregohet se i njëjti kishte shkelur rëndë edhe rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare të përcaktuara në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949.

Në aktakuzë thuhet se me datë 21 maj të vitit 1999,  rreth orës 08:00 në mëngjes, në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, i pandehuri N.A së bashku me persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur, kanë shkuar me vetura policore në pronën e familjes inicialet e të cilëve janë J.Sh dhe S.Sh, , në lagjen “Emshir” në Prishtinë, me ç ‘rast fillimisht kishin kërkuar që të largohen të gjithë personat që kishin ikur nga zona e konfliktit dhe ishin strehuar tek e njëjta familje, dhe pasi që aty kishin mbetur vetëm të dëmtuarit J. Sh. dhe S. Sh., i pandehuri, ka malltretuar duke i rrahur me mjete të forta dy viktimat.

Tutje në aktakuzë thuhet edhe se i pandehuri i kishte torturuar aq shumë sa që edhe dy të dëmtuarit J.Sh dhe S. Sh i kanë detyruar të pijnë edhe alkool dhe të këndojnë një këngë serbe.

Prokuroria ka përshkruar se edhe sot e asaj dite, dy të dëmtuarit vuajnë nga tortura e shkaktuar më 21 maj të vitit 1999 nga ana e të pandehurit N. A dhe bashkëpunëtorët e tij.

Po ashtu aktakuza e Prokurorisë Speciale tregon edhe se i pandehuri të njëjtën ditë së bashku me disa persona të tjerë në mënyrë të armatosur kishin marrë pjesë në shkatërrimin e shtëpive të të dëmtuarve S. Sh. dhe J. Sh, ku edhe kishin përvetësuar një sasi të madhe të naftës, 200 mijë marka gjermane.

Në aktakuzë janë përfshirë edhe dëshmitë e të dëmtuarve dhe të vetë të pandehurit i cili gjendet në Burgun e Dyzit.

Dëshmitari dhe në këtë rast i dëmtuari J. Sh. kishte deklaruar se kishte jetuar në Prishtinë së bashku me vëllezërit e tij ku njiheshin si familje e pasur pasi që merreshin me bujqësi dhe kishin qëndruar mirë ekonomikisht.

Ai kishte rrëfyer ditën kritike ku e kishte përshkruar edhe të pandehurit, të veshur me uniformë policore e të armatosur deri sa kishte shtuar se ai kishte shkuar te shtëpia e tij me së bashku rreth 30 persona.

Ai tutje kishte rrëfyer se për një kohë të gjatë, i pandehuri N. A., së bashku me një person tjetër të komunitetit romë, e ka rrahur  të dëmtuarin J. Sh me mjete të forta, drunjtë dhe shkopinj, duke iu shkaktuar vuajtje të mëdha dhe lëndime në pjesë të ndryshme të trupit.

Tutje aktakuza përshkruan edhe se pasi i pandehuri e kishte rrahur J. Sh, e kishte marrë këtë të fundit dhe e kishte dërguar në oborrin e vëllait të tij S. Sh ku më pas i kishin rrahur të dy dhe i kishin

I dëmtuari në dëshminë e tij kishte treguar se i pandehuri N. A e kishte detyruar të i tregoj se ku i kanë fshehur makinat e paratë, më pas ia kishin dëmtuar shtëpinë dhe ia kishin marrë të gjitha veturat, paratë që i kishte fshehur babai i dy të dëmtuarve.

“Dëshmitarët- të dëmtuarit J. dhe S. Sh. deklaruan se ata sot e kësaj dite kanë pasoja nga tortura, ndërsa i dëmtuari S. Sh nga pasoja e rrahjes kishte lënduar rëndë syrin dhe pas luftës ishte operuar në Turqi”, thuhet në aktakuzë.

Dëshminë e kishte dhënë edhe një vëlla tjetër i dy të dëmtuarve ku kishte treguar se si i kishte gjetur dy vëllezërit pasi ishte kthyer në Kosovë.

Ai kishte rrëfyer se kishte kërkuar një kohë të gjatë informata për të akuzuarin, pasi që i njëjti do të ushtronte kallëzim penal për mënyrën e torturës së vëllezërve të tij.

Akuzat e vëllezërve S dhe J. Sh, i kishte mohuar i akuzuari N. A duke thënë se nuk i kishte torturuar dhe nuk kishte plaçkitur shtëpitë e tyre ndërsa kishte pranuar se i kishte njohur për shkak që merreshin me bujqësi.

Prokuroria Speciale ka vlerësuar për shkak të provave, fotografive, dëshmive të siguruara, i akuzuari ka kryer veprën penale për krime lufte kundër popullsisë civile.

Ngritet aktakuzë ndaj ish-policit serb për krime lufte në Kosovë