
Detaje nga aktakuza kundër personit të dyshuar për "fshehje të terroristëve"
Prokuroria Speciale, më 23.10.2024, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën e Prishtinës, kundër të pandehurit K.H, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Fshehje ose moslajmërim i terroristëve dhe grupeve terroriste’’, paraparë me Kodin Penal.
Komunikata citon aktakuzën sipas së cilës i pandehuri K.H., është takuar dhe ka marrë pjesë në biseda të vazhdueshme me tani të dënuarit V.I, B.I, L.V, F.G, K.P, A.A, L.G, L.M, dhe B.P, për vepra penale të terrorizmit.
K.H., thuhet të kenë qenë në dijeni për ekzistimin dhe veprimet e grupit terrorist, por i kishte fshehur dhe nuk i kishte lajmëruar tek organet kompetente.
KALLXO.com mëson nga burimet brenda institucioneve se aktakuza është ngritur ndaj K. Hoxhës.
I njëjti po akuzohet për moslajmërim të grupit, i cili planifikoi të kryente sulm terrorist ndaj kombëtares së Izraelit në vitin 2016.
Në atë kohë kombëtarja e Izraelit erdhi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbolli për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.
Hoxha dyshohej se ishte pjesë e grupit por se nuk ishte pajtuar për sulmin. Mirëpo në kohën kur do të arrestohej ai ishte arratisur në një vend tjetër jashtë Kosovës.
Siç mëson KALLXO.com i njëjti kishte qëndruar deri para një muaji në Maqedoni të Veriut e më pas është dorëzuar te autoritetet e Kosovës.
Të akuzuar në këtë proces gjyqësor për sulmin e planifikuar ishin Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi, Arton Ahmeti, Kenan Plakaj, Leotrim Musliu dhe Besart Peci.
Prokuroria Speciale nge aktakuzë kundër një personi për “fshehje të terroristëve”