Detaje nga aksioni: U arrestuan 14 persona dhe u kapën rreth 70 kg drogë kaptagon, për herë të parë në Kosovë

Gjatë aksionit të koduar “Gropa”, Policia e Kosovës ka arritur të sekuestrojë rreth 70 kilogramë drogë të llojit kaptagon në vlerë rreth 1 milion euro, si dhe ka arrestuar 14 të dyshuar, nga ta 6 shtetas turq.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, i cili ka thënë se gjatë aksionit janë bastisur 7 lokacione.

“Gjatë bastisjes janë gjetur/sekuestruar 67.5 kg të llojit narkotik kaptagon, narkotik sintetike, është lloj i parë i këtij narkotiki që është sekuestruar në Republikën e Kosovës, ky lloj narkotiku ka qenë i paketuar në qese nga 500 gr, ky dyshohet edhe për një sasi tjetër që njësia është në hetim dhe shpresoj që shumë shpejtë do të sekuestrohet edhe sasia tjetër e narkotikëve, e cila në bazë të informacioneve gjendet në rajonin e Ferizajt”, tha Jashari.

Jashari tutje tha se janë bastisur edhe dy vende të cilat dyshohet se kanë qenë laboratorë për përpunimin e kësaj droge.

“Janë bastisur edhe dy laboratorë ku dyshohet se është bërë përpunimi për shkak se kjo ka ardhë si lëndë e parë nga Turqia, pastaj është shpërndarë në dy lokacione, në fshatin Siroj dhe Varosh ku kanë qenë dy laboratorë me pajisje më të sofistikuara për përpunimin e këtij narkotiku”, tha ai.

Jashari tha që nesër prokuroria do ta paraqes kërkesën për paraburgim të të dyshuarve të arrestuar gjatë këtij aksioni.

“Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 14 persona, prej tyre të dyshuar 6 shtetas të Republikës së Turqisë të cilët janë marrë enkas për përpunimin dhe përgatitjen e këtij lloj narkotiku. Nesër prokuroria do ta paraqes kërkesën për caktimin e paraburgimit pasi që të njëjti janë ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë”, shtoi ai.

Drejtori i antidrogës, Reshat Murseli tha që aksioni ‘Gropa’ ka filluar para 7 muajve me aplikimin e masave të fshehta.

“Njësia në Ferizaj afër 7 muaj më parë kishte pasur informata në rrugë operative, duke bashkërenduar veprimet e prokurorinë në Ferizaj dhe Gjykatën Themelore janë nisur hetimet duke u përdorur masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe kemi arritur të sigurojmë prova të mjaftueshme”,  tha ai.

Murseli tha që substanca kishte ardhur nga Irani e kamufluar në mallra komerciale.

“Të dyshuarit kishin sjellë lëndën e parë të kësaj substance të drogës të kamufluara në mallra komerciale nga Irani përmes Turqisë në Kosovë, më pas të dyshuarit nga Kosova kanë siguruar një lokacion në rajonin e Shtërpcës në një shtëpi të pabanuar duke siguruar mjetet të përshtatshme për përpunimin  dhe substanca shtesë të cilat pastaj janë kthyer në drogë”, tha ai.

Tutje ai bëri të ditur se vlera e kësaj substance është mbi 1 milion euro.

“Destinimi i kësaj droge ke pasur për qëllim tregun jashtë Kosovës, vlera e kësaj droge kalon vlerën së paku 1 milion euro në tregun vendor”, tha ai.

Pamje të drogës të konfiskuar në Ferizaj