Aksioni policor kundër drogës - Foto: KALLXO.com

Detaje nga aksioni policor në rajonin e Pejës dhe të Mitrovicës - FOTO

Një operacion i gjerë i bastisjeve ka nisur sot në mëngjes nga Policia e Krimeve të Rënda nën urdhrat e Prokurorisë së Pejës.

Aksioni është zhvilluar në komunat Pejë, Klinë, Istog, Skenderaj dhe Mitrovicë.

Cak i këtyre bastisjeve ka qenë një grup i dyshuar për kontrabandat të drogës dhe armëve.

Sipas Policisë, 11 persona janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa 6 nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Gjatë aksionit janë bastisur 13 lokacione dhe është shkatërruar një plantacion me 92 bimë narkotike të llojit kanabis.

Në aksionin e sotëm në pesë komunat e Kosovës janë gjetur edhe sasi të dyshuar të llojin kokainë, po ashtu armë të shkurtra dhe të gjata. Në cilësi të provave janë sekuestruar edhe telefona, 5 mijë e 500 euro para të gatshme dhe sende tjera që do të përdorën si provë kundër të dyshuarve në aksionin e sotëm.

Në nisje të aksionit, në orët e hershme të mëngjesit zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për KALLXO.com, se kanë filluar bastisjet në 13 lokacione.

Arrestimet gjatë aksionit policor, Foto:KALLXOcom

“Prokuroria Themelore në Pejë, është duke zhvilluar sot një aksion në 5 komuna dhe janë duke u bastisur 13 lokacione ku dhe është siguruar vendi i ngjarjes ku dyshohet se ka plantacion të kanabisit, deri me tani janë sekuestruar edhe armë, vlera të parave dhe gjë sende tjera të dyshuara” – ka thënë Nikçi të mërkurën në mëngjes.

Pasi janë arrestuar dy persona të dyshuar për kultivimin e kanabisit, operacioni duhej të vazhdonte në fshatin Drenjë të Istogut, ky dyshohet se ishte e mbjellë një arë me kanabis.

Prokurorja e rastit, Lumturije Vuçeta e cila ishte ne vendin e ngjarjes gjatë terë kohës, ka treguar se aksioni do të vazhdojë në këtë vend pasi nga rrugët operative dhe nga përdorimi i masave të fshehta të vëzhgimit e hetimit është identifikuar një plantacion i mbjellë me bimë narkotike.

Pas disa kilometrave ecje në këmbë, dyshimi doli të jetë i saktë sepse në atë vend hasen 92 bimë narkotike.

Përveç prokurores së rastit dhe policët e Anti-drogës e po ashtu policët e krimeve të rënda, në vendin e ngjarjes ishin të shoqëruar me pranga në duar edhe dy të dyshuarit që nga masat e fshehta të vëzhgimit e hetimit dyshohen se e kanë mbjellë dhe kultivuar kanabisin në atë vend.

Policia pasi ka bërë identifikimin dhe numërimin e bimëve narkotike i ka shkatërruar dhe djegur ato.

Përveç bimëve narkotike, në një shtëpi tek një i dyshuar në fshatin Berkovë të Klinës, policia ka hasur edhe në një sasi të drogës e dyshuar të jetë  kokainë por që pritet të verifikohet edhe me analizat që do i bëhen më vonë.

Tek një i dyshuar tjetër, policia ka hasur në armë të gjata dhe ka arrestuar një të dyshuar.

Prokuroria ne afatin e paraparë ligjor pritet të kërkojë masën e paraburgimit për 6 personat e ndaluar.

KALLXO.com që nga mëngjesi ka raportuar mbi zhvillimet në aksionin e sotëm.

KALLXO.com, gjithashtu ka sjellë edhe pamjet nga shkatërrimi dhe djegia e kanabisit në Drenje të Istogut.

Armët e sekuestruara, Foto: Policia e Kosovës
Armët dhe fishekët e sekuestruar, Foto: Policia e Kosovës