Foto: VOA

Detaje dhe reagime rreth shembjes së ndërtesës në kompleksin turistik në Kavajë

Në Shqipëri, ndërtesa shumëkatëshe në qendër të kompleksit turitik Prestigj Resort, u shemb pasditen e së dielës përmes një shërthimi të kontrolluar nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Aksioni për shembjen nisi që të enjten në mëngjes, kur fadromat prishën pjesën e restorantit, ndërkohë që në kollonat e ndërtesës u hapën vrimat për venien e dinamitit të përdorur sot.

Kompleksi është pronë e sipërmarrësit Irfan HysenBelliu, i cili kontrollon dhe disa media të rëndësishme në vend si si Gazeta Panorama dhe Gazeta Shqiptare, televizioni News 24 dhe portali Balkanweb. Në muajin shtator, autoritetet ndërhynë për herë të parë duke prishur pishinat, të cilat, siç bënë me dije në atë kohë, kishin qenë pa leje.

Për ndërhyrjen e fundit, përfaqësuesit e kompanisë deklaruan se nuk kishin marrë asnjë njoftim paraprak apo të ishin në dijeni të ndonjë vendimi për prishjen e kompleksit. Ndonëse u bë ankimim në Gjykatën administrative, për të kërkuar ndërprerjen e veprimeve të Inspektoriatit, çështja nuk u arrit të merrej në shqyrtim, pavarësisht urgjencës së rastit.

Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama, reagoi pas shembjes së godinës në kompleksin turistik, duke lënë të kuptohet se kompania nuk ka patur leje ndërtimi, por vetëm leje zhvillimi.

“Një leje zhvillimi është njësoj me një leje ndërtimi sa ç’është një çertifikatë lindjeje baraz me një leje drejtimi!Të bësh viktimën e lirisë së medias pse t’u prish një pallat pa leje është njësoj si të bësh viktimën e dhunës policore pse s’të lënë ta ngasësh makinën pa patentë”, shkruajti Rama.

Por kompania tregoi sot se ajo që ka firmosur kryeministri është pikërisht një leje ndërtimi.

Më herët, gjatë ndërhyrjes në shtator, autoritetet kishin reguar duke shpjeguar se leja e dhënë kishte qenë me disa kushte, që sipas tyre kompania nuk i kishte plotësuar. Sipërmarrësi Hysenbelliu deklaroi sot se ai i ka përmbushur të gjitha detyrimet, ndërsa e konsideroi shembjen e godinës si “një hakmarrje mediatike dhe personale” e kryeministrit Rama ndaj tij.

Gjatë ditës, Rama, në një konferencë për mediat deklaroi se po zbatohet sipas tij vetëm ligji, dhe se kjo ndërhyrje është pjesë e një procesi që qeveria e tij ka ndërmarrë kundër ndërtimeve pa leje me qëllim fitimi./VOA