Dështon zgjedhja e zëvendësve të Avokatit të Popullit

Ka dështuar zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit. Asnjëri nga dhjetë pretendentët nuk ka arritur t’i marrë 50 vota, të mjaftueshme për zgjedhjen si zëvendës i Avokatit të Popullit.

Në votim kanë marrë pjesë 98 deputetë ndërsa 61 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme.

Këto janë pikët për secilin kandidat: Leonora Selmani – 4 vota, Majlinda Sinanaj-Lulaj – 2 vota, Shqipe Ibraj-Mala – 4 vota, Isa Hasani – 3 vota, Basri Kastrati – 1 votë, Arta Ibrahimi – 30 vota, Selman Ymeri – 32 vota dhe Naile Alaj – 32 vota.

Ndërsa, për një pozitë të zëvendësit të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve joshumicë janë Marija Raduloviq, e cila mori 30 vota dhe Rialda Kolenoviq – Ibrahimi – 2 vota.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pasi konstatoi që kandidatët nuk i morën votat e mjaftueshme, mbylli punimet e seancës.