
Dështon zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave
Kuvendi i Kosovës do të përsëris konkursin për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media.
Me 56 vota të pavlefshme për votimin e dy kandidatëve nga komunitet shumicë dhe 52 të pavlefshme për zgjedhjen e një kandidati nga komunitetet pakicë, kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë tre anëtarët e KPM-së.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ka thënë se asnjëri nga kandidatët nuk i ka marrë votat e duhura.
“Asnjë nga kandidatët nuk i kanë marrë votat e duhura dhe përseritet konkursi”, ka konstatuar nënkryetarja e Kuvendit.
Kandidatët e propozuar për anëtarë të KPM-së ishin Hysni Mustafa, Luljeta Aliu – Krasniqi, Arbër Jashari, Vlorë Berisha, Fatih Basha dhe Maja Staletovic.
Mandati i anëtarëve të KPM-së caktohet me short. Një anëtar më mandat 4-vjeçar dhe 2 anëtarët e tjerë me mandat 3-vjeçar.
Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media ka nxitur reagim nga shoqëria civile në Kosovë dhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.
Komisioni ad-hoc i ka rekomanduar Kuvendit 6 kandidatë për tre anëtarë të KPM-së: Hysni Mustafa, Luljeta Aliu, Arber Jashari, Vlorë Berisha, Fatih Basha, Maja Staletovic.
Anëtarja e shoqërisë civile, Flutura Kusari ka deklaruar se përzgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media është bërë në procedurë krejtësisht sekrete.
Të njëjtin reagim e ka përkrahur edhe Ricardo Gutierrez nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EJF), duke u shprehur të shqetësuar për emërimin e tre anëtarëve të KPM-së.
Gutierrez ka shkruar se si federatë bëjnë thirrje deputetëve të Kosovës që të bëjnë publike procesverbalet.