Dështon votimi i rezolutës që ia kërkon Qeverisë Projektligjin e pagave

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum që të votojë rezulutën pas debatit parlamentar për Projektligjin e pagave, përmes së cilës kërkohej që Qeveria e Kosovës të sjellë këtë Projektligj në legjislativ.

“45 deputetë janë të pranishëm në sallë, nuk ka kuorum për të votuar. Me pikat e mbetura të kësaj seance vazhdojmë në një seancë tjetër”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, lexoi rezolutën para deputetëve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës sa më parë të sjellë Projektligjin e pagave në sektorin publik për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës në mënyrë që zbatimi të fillojë më 1 mars 2022”, tha ai, duke lexuar tekstin e rezolutës.

Më 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shfuqizuar Ligjin për Pagat.

Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas Ligjit që ishte miratuar më 2019.