Dështon votimi i komisioneve parlamentare, caktohet mbledhja e kryesisë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të votojnë propozim vendimin për formimin e komisioneve parlamentare.

Ndonëse në seancë ishin 103 deputetë, në votim morën pjesë vetëm 60 prej tyre, numër ky që nuk mjaftoi për të qenë i vlefshëm votimi.

Kjo pikë e rendit të ditës parashihet që të bëhej ndryshimi nga 16 në 14.

Mirëpo ky ndyshim bëhet me votimin e 2/ 3 e votave ose 80 vota.

Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit, kërkoi që sot në ora 14 të mbahet mbledhja e kryesisë.

“Meqenëse votimi nuk është i vlefshëm sepse nuk kanë marrë pjesë 80 deputet e mbyllë këtë seancë dhe e ftoj mbledhjen e kryesisë në orën 14,” tha ajo.

Përpara se të hidhej në votim kjo pikë e rendit të ditës, u propozua që mbahet një pauzë.

Rexhep Selimi, shef i grupit parlamentar të LVV-së, propozoi që të bëhet një pauzë dhe pastaj një takim të shefave të grupeve parlamentare.

“Propozoj që të na ftoni në një takim që t’i diskutojmë të gjitha ato që u përfshinë sot. Propozoj që të bëjmë një pauzë dhe të takohemi pastaj shefat e grupeve parlamentare,” tha ai.

Bedri Hamza, shef i grupit parlamentar të PDK-së tha që nuk ka nevojë për pauzë por duhet të shkohet me votim.

“PDK mendon që diskutimet janë harxhuar dhe kërkon që kjo çështje të vendoset në votim,” tha ai.

Këtij propozimi të PDK-së iu bashkëngjiten AAK edhe Nisma si dhe 6 +.

Ndërsa Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit të Kosovës propozoi një mënyrë sesi duhet të dilet nga kjo situatë duke thënë që kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër.

“Duke pasur parasysh që akoma jemi minus 12 deputet për shkak që presidenti nuk po e kryen detyrën e tij kushtetuese, duke pasur parasysh që kemi disa vërejte, propozimi im është që këtë temë ta shtyjmë për një ditë tjetër dhe natyrisht mbledhja e kryesisë do ta caktoj ditën dhe orën e saj për konstituimin e komisioneve të Kuvendit,” tha ajo.