Dështon vazhdimi i seancës së Kuvendit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se nuk është i mundshëm vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, pas sipas tij në seancë janë prezent vetëm 53 deputetë.

“Kemi prit mjaftueshëm janë 25 minuta prej kohës kur kemi thënë se vazhdon seanca. Vetëm 53 deputetë po marrin pjesë në seancë nuk është i mundshëm vazhdimi i kësaj seance. Këtë seancë do ta thërrasim për një vazhdim për javën tjetër”, tha Konjufca.

Seanca e Kuvendit të Kosovës i kishte përfunduar vetëm pikat e para të rendit të ditës deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, ndërkaq, në mungesë të kuorumit nuk kanë arritur ti votojnë dy pika të rendit të ditës Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për provimin e jurisprudencës dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Në rend dite në këtë seancë ishin edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pijet e Forta Alkoolike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve, zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit dhe zgjedhja e një  anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.