Foto: KALLXO.com

Dështon të nisë gjykimi ndaj ish-drejtorit të Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit

Seanca e paraparë ndaj ish-drejtorit të Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit, Levent Kasemi, ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Prizrenit.

Kasemi po akuzohet në lidhje me zbatimin e tenderit ‘’Ndërtimi i mini parqeve, furnizimi dhe vendosja në hapësira publike të ulëseve, koshave të mbeturinave dhe ndriçim publik” me të cilin pretendohet se Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm në vlerën prej 103,148.34 euro.

Shkak i këtij dështimi ishte gjendja jo e mirë shëndetësore e të akuzuarit Levent Kasemi.

Para fillimit të shqyrtimit gjyqësor, Ardian Morina, mbrojtës i të akuzuarit, kërkoi nga Gjykata që kjo seancë të shtyhet.

Pas kësaj kërkese, gjykatësi Xheladin Osmani e ka ndërprerë seancën dhe e obligoi të akuzuarin që Gjykatës t’ia bashkëngjisë  certifikatën mjekësore mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Sipas Prokurorisë, në periudhën kohore nga data 14 dhjetor 2018 e deri më 12 shkurt 2020, Kasemi duke punuar si drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike, me dashje nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që t’i mundësojë dobi pasurore personit tjetër, në rastin konkret dy operatorëve ekonomikë.

Tutje thuhet se me rastin e hartimit të paramasave të pozicioneve – artikujve, ka ndërhyrë dhe ka ndryshuar paramasat, të cilat ia ka dërguar zyrtari për energjetikë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike – dëshmitari Sadik Tahiri.

“Në cilësinë e menaxherit të kontratës ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe dy operatorëve ekonomikë lidhur me zbatimin e tenderit ‘’Ndërtimi i mini parqeve, furnizimi dhe vendosja në hapësira publike të ulëseve, koshave të mbeturinave dhe ndriçim publik’’ në Komunën e Prizrenit, në vlerë prej 289.124.00 euro ka lëshuar urdhëresa për realizimin e punimeve sipas pozicioneve ku çmimet kanë qenë më të larta, duke tejkaluar edhe porositë për këto pozicione mbi 30% të kontratës”, thuhet në akuzën e Prokurorisë.

Ndërkaq, për pozicionet më të ulëta nuk ka kërkuar që këto pozicione të realizohen dhe në këtë mënyrë gjatë realizimit të kontratës i shkakton dëm autoritetit kontraktues – Komunës së Prizrenit në vlerë prej 103,148.34 euro

Në qershor të vitit 2020, KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin për dyshimet për ‘gjakderdhjen’ financiare në Prizren. Komuna e Prizrenit në atë kohë drejtohej nga Mytaher Haskuka i Lëvizjes Vetëvendosje.

KALLXO.com kishte gjetur në kontratën në fjalë se janë kontraktuar ulëse afërsisht të ngjashme, por me çmime që kanë deri në 1,000% dallim. Njëra ulëse 995 euro, e tjetra veç 11 euro. Lojë e njëjtë me çmime ishte aplikuar edhe me shtylla elektrike.

Duke analizuar kontratën dhe produktet e porositura, del se janë vendosur 183 ulëse nga 340 sa i kishte planifikuar. Janë vendosur 157 ulëse më pak, por Komuna e Prizrenit i ka paguar 107 mijë euro, apo 19 mijë euro më shumë së vlera e planifikuar për të blerë 340 ulëse. Pra, kemi më pak ulëse e 20 mijë euro më shumë të shpenzuara.

Hulumtimi kishte zbuluar se e njëjta ka ndodhur edhe me shtylla elektrike. Janë planifikuar të vendosen 230 shtylla nëpër qytet me një kosto prej 100 mijë e 320 euro. Ne kemi gjetur se deri më tani janë vendosur vetëm 143 shtylla e janë shpenzuar 128 mijë euro. Pra, janë vendosur 87 shtylla elektrike më pak se planifikimi, ndërsa janë shpenzuar 27 mijë euro më shumë.

Dyshimet për ‘gjakderdhjen’ financiare në Prizren