Gjykimi për tjetërsimin e pronave të ish-RTP-së

Dështon të nis gjykimi ndaj të akuzuarve për tjetërsimin e pronës së ish- RTP-së

Lekë Prenaj, ish- gjykatës në Gjykatën e Prishtinës, Hilmi Kastrati, Kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinësm dhe Shpëtim Pllana, kanë dalë para gjykatësit në Ferizaj për tu përballur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizim i përmbajtjes së rreme.

Por seanca ndaj tyre dështoi të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit Shkumbin Qehaja.

Kryetari i trupit gjykues, Sahit Krasniqi tha se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për seancën e sotme pasi i akuzuari Shkumbin Qehaja mungon dhe nuk ka dëshmi se është ftuar në mënyrë të rregullt.

“Nuk ka kushte ligjore për të vazhduar me shqyrtimin fillestar dhe as nuk kemi arsye në këtë seancë për të veçuar procedurën ndaj tij pasi ai është në Kosovë, po të ishte në botën e jashtme procedura ndaj tij do të veçohej. Ndaj të akuzuarit Qehaja do të kërkohet verifikimi i adresës së tij nga ana e Policisë”, tha gjykatësi Krasniqi.

Ky rast ka të bëjë me tjetërsimin e pronës shoqërore në vlerë miliona euro në pronësi të ish- Radio Televizionit të Prishtinës.

Seanca që dështoi të mbahet sot u shty për 24 mars.

Kujtojmë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kishte marrë vendim me të cilin e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lekë Prenaj.

Sipas aktakuzës, Hilmi Kastrati si person zyrtar, Kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, në periudhën kohore 2015-2018, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Kastrati me 24 maj 2018 e ka përpiluar përgjigjen në padi me nr.C.Nr.3159/17 për Vërtetimin e të Drejtës së Pronësisë mbi ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në lagjen Vetërrnik, Zona Kadastrale në Prishtinë, me përmbajtje të pavërtetë, me të cilën nuk kontestohen pretendimet e paditësit Shkumbin Qehaja.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, i akuzuari Hilmi Kastrati me 5 shtator 2018 e ka nënshkruar autorizimin me të cilin e ka autorizuar Shpëtim Pllanën (tani i akuzuar), jurist nga Prishtina, që kontestin sipas padisë së lartcekur ta përfaqësojë N.SH., Radio Televizionin e Prishtinës në Gjykatën e Prishtinës edhe pse i akuzuari Hilmi Kastrati e ka ditur se prona shoqërore e të paditurës N.SH., Radio Televizionit të Prishtinës gjendet në menaxhimin dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Tutje theksohet se i akuzuari Lekë Prenaj si person zyrtar, gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm në Divizionin Civil, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat zyrtare.

Sipas Prokurorisë Prenaj ka marrë vendimin gjyqësor në lidhje me pronën shoqërore të Ndërmarrjes Shoqërore, Radio Televizioni i Prishtinës edhe pse i akuzuari Lekë Prenaj e ka ditur se për këtë është kompetente vetëm Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, kurse për menaxhimin e këtyre pronave përgjegjëse është vetëm Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari Prenaj  në shqyrtimin  gjyqësor të datës 10 prill 2019, sipas padisë të 22 nëntorit 2017 të ushtruar nga paditësi, (tani i akuzuari), Shkumbin Qehaja, ka nxjerrë aktvendim gjyqësor me të cilin është miratuar pajtimi gjyqësor mes përfaqësuesve të palëve, avokatit Shefki Syla në emër të paditësit, Shkumbin Qehaja (tani i akuzuar), dhe Shpëtim Pllana në emër të paditurës N.SH., Radio Televizioni i Prishtinës, duke vërtetuar se pronari i ngastrës së lartcekur në lagjen Veternik,  është paditësi (tani i akuzuar), Shkumbin Qehaja edhe pse të gjithë të akuzuarit e kanë ditur se Qehaja nuk e ka të drejtën e pronësisë së asaj prone.

Sipas Prokurorisë deri tek ndërrimi i titullarit të pronës ka ardhur pasi që i akuzuari Qehaja e ka përpiluar një autorizim (të cilin pastaj e ka nënshkruar edhe Hilmi Kastrati), me përmbajtje të pa vërtetë sipas të cilit Bordi i Drejtorëve të RTP-së, e ka autorizuar të akuzuarin Shpëtim Pllana që të lidhë pajtim gjyqësor me të cilin Shkumbin Qehaja do të bëhej pronar i ngastrës kadastrale e cila ka qenë në emër të RTP-së.