Foto: KALLXO.com

Dështon të mbahet seanca ndaj mjekut ortoped Sami Delijaj, i akuzuar për marrje ryshfeti

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca ndaj të pandehurit Sami Delijaj, i cili nga Prokuroria po akuzohet se në pozitën e mjekut ortoped në QKUK kishte kërkuar nga i dëmtuari Xhevdet Potera shumën 450 euro, kurse pas negocimit ishte pajtuar dhe kishte marrë shumën prej 300 eurosh.

Arsyeja pse seanca e sotme (18.11.2024) ka dështuar të mbahet është për shkak se ka munguar dëshmitari Ali Berisha për të cilin gjyqtari Ertan Sejfulla bëri të ditur se nuk mund të prezantojë në Gjykatë për arsye se ka obligime familjare.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me ketë çështje penale pritet të mbahet gjatë muajit dhjetor 2024.

Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Ertan Sejfulla (kryetar i trupit gjykues) dhe Fatime Dërmaku edhe Naser Foniqi.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Fitore Sadikaj.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Sami Delijaj në cilësinë e personit zyrtar në pozitën e mjekut ortoped në QKUK, pasi kishte operuar pacientin R.M. në emër të punës së kryer, në mënyrë të drejtpërdrejtë me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm më 01.09.2023 kishte kërkuar para ryshfet nga tani i dëmtuari Xhevdet Potera shumën prej 450 euro dhe më 04.09.2023, kur Xhevdet Potera ia dërgon paratë diskutojnë rreth çmimit dhe i njëjti në formë ryshfeti i pranon 300 euro.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Të gjitha raportimet lidhur më këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.