
Dështon të mbahet seanca ndaj dy të akuzuarve për krime lufte në rajonin e Vushtrrisë
Ka dështuar të mbahet seanca e datës 03.02.2025 ndaj Zoran Kostiqit dhe Dragan Milloviqit, të cilët po akuzohen për “krime lufte” të kryera në territorin e Komunës së Vushtrrisë.
Kryetari i Trupit Gjykues Lutfi Shala njoftoi se në këtë seancë ishte paraparë të dëgjoheshin të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit, mirëpo të njëjtit njoftoi se nuk janë parqitur në seancë dhe tha se të njëjtit nuk kanë dhënë arsye për mosprezencën e tyre.
Tutje, gjyqtari Shala tha se lidhur me dëshmitarët, Gjykata do të bëjë përpjekje të kuptojë deri në seancën e ardhshme pse ata nuk janë të pranishëm në seancë dhe varësisht prej përgjigjeve të tyre Gjykata do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi.
Në mungesë të dëshmitarëve seanca e sotme 03.02.2025 u ndëpre dhe seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar për datën 06.02.2025.
Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Lutfi Shala (kryetar), Valon Kurtaj dhe Rrahman Beqiri (anëtarë).
Çka thotë Dosja e Prokurorisë?
Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 06.04.1999, i akuzuari Zoran Kostiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë, Ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, i veshur me uniformë të Policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim, ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani.
Sipas Aktakuzës, në mesin e pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë dhe paramilitarëve serbë ishte edhe Zoran Kostiq, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik, si: I. U., M. U. me bashkëshorte, B. U., F. U., S. U. dhe F. U.
Tutje, sipas Aktakuzës, në ditën kritike vriten edhe T. U. me bashkëshorten H. U. dhe me qëllim për t’i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive dhe djegin kufomat e familjes Ujkani.
Gjithnjë sipas Aktakuzës, i njëjti në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar kishte urdhëruar dëbimin e popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre – duke e detyruar popullatën civile të vazhdojnë në drejtim të varrezave të qytetit, duke i ndarë meshkujt nga gratë dhe fëmijët.
Po ashtu, sipas Aktakuzës, i akuzuari Dragan Milloviq si dhe pjesëtarë të tjerë të uniformuar, tani për tani të paidentifikuar, gjatë muajit maj 1999, me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë së Serbisë në Vushtrri, në periudhën e luftës në Kosovë, forcërisht i kanë dërguar diku 20,000 banorë civilë të Vushtrrisë te varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë maltretuar, rrahur, torturuar civilë të cilët gjendeshin të grumbulluar te varrezat e qytetit.
Me këto Prokuroria të lartcekurit i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: “krimet e luftës kundër popullatës civile”.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.