Dështon të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar për grabitjen e afër 1 milion eurove dhe mbi 46 mijë dollarëve

Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve Dardan Gashi, Milaim Lipovica, Kushtrim Xhaka, Agron Berisha, Viktor Sogojeva dhe Nexhat Muqolli, të cilët po akuzohen për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal” dhe “Grabitja”.

Arsyeja pse ka dështuar të mbahet kjo seancë është për shkak të mungesës së prokurorit special.

Në fillim të seancës gjyqtari i kësaj çështje Vesel Ismajli bëri të ditur se kjo lëndë ka ardhur nga Gjykata e Gjilanit – Departamenti për Krime të Rënda.

Ai bëri të ditur se si Departament Special i kësaj gjykate i janë drejtuar me kërkesë Gjykatës së Apelit dhe se kjo e fundit me vendim të saj ka caktuar se lënda në këtë rast duhet të gjykohet nga Departamenti Special i Themelores në Prishtinë.

Me vendimin e gjykatës së Apelit e kishin njoftuar edhe Prokurorin Speciale, Kryeprokurorin dhe Zëvendës-Kryeprokurorin të PSRK-së që të marrin lëndën në përfaqësim, por lëndën ende nuk e kishte marrur askush.

Përveç prokurorit special, të pranishëm në këtë seancë nuk ishin as i akuzuari Milaim Lipovica, Kushtrim Xhaka. Po ashtu mungoi edhe avokati i të akuzuarit Dardan Gashi, avokati Ymer Huruglica. Po ashtu munguan edhe mbrojtësi i të akuzuarit Milaim Lipovica dhe të akuzuarit Nexhat Muqolli emrat e të cilëve nuk u bënë të ditur në këtë seancë.

Ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve Viktor Sogojeva dhe Agron Berisha, avokatët Haxhi Millaku dhe Bekim Kafexholli, kërkuan që mbrojtësve të tyre t’iu zëvendësohet masa e paraburgimit dhe ndaj tyre të caktohet ndonjë masë më e butë.

Gjyqtari Vesel Ismajli tha se lidhur me propozimet e mbrojtësve të dy akuzuarve do të vendosë jashtë seancës me aktvendim të veçantë.


Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas dosjes së prokurorisë më datë 18.11.2021 në rrugën regjionale Gjilan-Prishtinë në fshatin Parallovë komuna e Novobërdës, të pandehurit si grup i organizuar kriminal, kanë grabitur shumën e parave prej 996,271.24 euro dhe 46,780,00 dollarë amerikan (USD) në dëm të dëmtuarve Bankës Pro Credit me seli në Prishtinë dhe kompanisë “Besa Security” me seli në Prishtinë.

Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Gashi ka siguruar dhe vënë në shërbim automjetin e tipit Volvo, i pandehuri Milaim Lipovica si menaxher në Kompaninë ‘’Besa Security” në Prishtinë ka përgatit automjetin special për transportimin e parave të gatshme e tipit Fiat Dukato, pronë e kompanisë “Besa Security” ashtu që i njëjti me datë 06.11.2021 pa dijeni të pronarit të kompanisë, këtë automjet e dërgon te autoservisi pronari i të cilës është i pandehuri Kushtrim Xhaka.

Tutje sipas aktakuzës së bashku me Kushtrim Xhakën, ia vendosin pajisjen elektronike për çaktivizim të motorit nga distanca përmes teledirigjimit pas kësaj të njëjtin e testojnë brenda lokalit, e pastaj edhe në rrugët e Prishtinës. Ndërsa më datë 18.11.2021 të pandehurit me automjetin Volvo dhe një automjet tjetër Zafira, të pandehurit Agroni, Viktori, Nexhati përmes rrugës dytësore nga Prishtina shkojnë në fshatin Parallovë, dhe në një largësi rreth 200 metrave jashtë rrugës Regjionale Prishtinë – Gjilan, e lënë të fshehur automjetin Volvo ndërsa me automjetin Zafira shkojnë në Gjilan.

Në Aktakuzë thuhet se pasi e takojnë automjetin Fiat i cili kishte grumbulluar paratë nga automatet bankare të vendosura në Ferizaj, Viti dhe Gjilan për t’i dërguar në Selinë Qendrore të Pro Credit në Prishtinë, me automjetin Zafira nga Gjilani i vihen pas nën përcjellje. Pasi arrijnë në Parallovë, Fiatin e ndalojnë me teledirigjim, dhe motori i automjetit fiket, të njëjtit me automjetin Zafira i dalin përpara veturës “Fiat”, dhe  nga automjeti dalin fillimisht të akuzuarit Viktor, Agron dhe Nexhat, të maskuar e të armatosur me armë të gjata- kallashnikov.

Tutje sipas aktakuzës, fillimisht i akuzuari Viktor e pastaj edhe të akuzuarit Agron dhe Nexhat fillojnë të shtien në parafango dhe pastaj në xham të shoferit të veturës Fiat dhe arrijnë që shoferin dhe tre punëtorët tjerë që gjendeshin në automjetin Fiat t’i nxjerrin nga vetura dhe t’i çarmatosin e t’i shtrijnë përtokë. Ndërsa nga automjeti “Zafira” del personi i katërt, duke iu bashkuar tre të pandehurve, dhe i pandehuri Nexhat hyn në automjetin “Fiat” përmes pultit të vendosur në “Fiat”, hap kargon e automjetit ku ishin të vendosura paratë, nga aty nxjerr 10 çanta të mbushura me para, të njëjtat i vendosin në automjetin “Zafira” dhe ikin nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës, të njëjtit shkojnë te vetura Volvo, i vendosin çantat me para në automjetin Volvo nga automjeti Zafira dhe pastaj djegin veturën Zafira dhe me veturën Volvo vazhdojnë rrugën në drejtim të Prishtinës, ashtu që në fshatin Sllovi paratë i nxjerrin nga çanta, ndërsa çantat i hedhin në skaj të rrugës dhe vazhdojnë rrugën dhe kthehen në Prishtinë pas kësaj.

Në aktakuzë thuhet se veturën Volvo e dërgojnë dhe e lënë të braktisur në fshatin Harilaq afër aeroportit të Sllatinës, ku pas 3-4 ditëve ishte identifikuar dhe sekuestruar nga ana e Policisë së Kosovës. Andaj të pandehurit me veprimet e tyre të përbashkëta si grup i organizuar kriminal sipas aktakuzës të dëmtuarve Bankës Pro Credit dhe pronarit të kompanisë “Besa Security”- Abedin Hasanit i shkaktojnë dëm material në shumën prej 996,271.24 centë dhe 46,780.00 dollarë amerikan.

Për këto veprime të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal të organizuar” sepse në bashkëveprim akuzohen se kanë kryer veprën penale “Grabitja”

Sipas pikës II të pandehurit Viktor Sogojeva, Agron Berisha dhe Nexhat Muqolli akuzohen për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas pikës III të aktakuzës i pandehuri Agron Berisha akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërsa pika IV e aktakuzës e ngarkon të akuzuarin Viktor Sogojeva për veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materive plasëse.