Dështon sërish seanca ndaj të akuzuarve për 113 kg heroinë

Në Gjykatën e Prishtinës, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj 4 personave të akuzuar për transportin dhe shitjen e 113 kilogramëve heroinë.

Të akuzuarit, Xhemail Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale të cilët gjenden në paraburgim, nuk u paraqitën sot në gjykimin e paraparë të mbahet kundër tyre.

Ndërsa i akuzuari, Alban Gashi, i cili akuzohet për dhënie ndihme për të kryer veprën ishte prezent në seancë së bashku me mbrojtësin e tij, avokatin Besnik Berisha.

Në këtë rast, i akuzuar ishte edhe Labinot Zenelaj, i cili ishte akuzuar për mashtrim, mirëpo ka pranuar fajësinë dhe për të ka përfunduar procesi.

Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj njoftoi se nuk ka mundur ta sigurojë pjesëmarrjen e të akuzuarve në seancë, ndonwse ata që gjenden në paraburgim.

Sipas gjyqtares, është bërë një lloj ngatërrese me dërgimin e urdhëresës për transportimin e të pandehurve nga njësia e paraburgimit në gjykatë, prandaj ata nuk morën pjesë në gjykim.

Gjithashtu, gjyqtarja Selimaj njoftoi se marrëveshja mes të akuzuarve dhe prokurorisë për pranimin e fajësisë dhe masën e dënimit, ka dështuar të arrihet, kështu në vijim do të vazhdojnë procedurat e rregullta të parapara me ligj.

Në rrethana të tilla, seanca dështoi të mbahej dhe tjetra u caktua me datë 14 dhe 15 qershor ku edhe do të dëgjohen dëshmitarët e paraparë në aktakuzë.

Xhemajl Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale akuzohen nga Prokuroria Speciale për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur për blerje apo posedim të substancave narkotike, ndërsa Alban Gashi akuzohet për dhënie ndihme për kryerje të veprës.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Xhemail Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale, po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal i organizuar dhe strukturuar së bashku me persona të tjerë që gjendeshin në territorin e disa shteteve si Irani, Shqipëria e Kosova, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë shitur dhe transportuar 113 kilogram substancë narkotike të llojit heroinë.

Kjo substancë fillimisht dyshohet se është blerë në shtetin aziatik dhe pastaj kanë arritur që me maune të mbushura me pllaka të mermerit t’i transportojnë për në Shqipëri dhe Kosovë.

Xhemail Shala dhe Iskender Sale gjithashtu akuzohen edhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, kjo për arsye se pasi të njëjtëve u janë publikuar emrat e tyre si të dyshuar për trafikim me narkotikë, dhe se kanë paraqitur fakte te rreme në qendrat e regjistrimit në Prishtinë e Obiliq, me qëllim të ndërrimit të identitetit të tyre.

Ndërsa, Alban Gashi akuzohet nga Prokuroria se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ju ka ndihmuar të akuzuarve të lartcekur në shmangien, zbulimin dhe arrestimin e tyre, duke ju bërë të mundur pajisjen me dokumente të rreme të identifikimit dhe me këtë ka kryer veprat penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale” dhe “Falsifikim i dokumentit”.