Gjykimi për 113 kilogramë heroinë FOTO-Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Dështon sërish seanca ndaj pesë të akuzuarve për 113 kg heroinë

Ka dështuar sërish seanca ndaj ndaj pesë personave të cilët akuzohen në lidhje me transportin dhe shitjen e 113 kilogramëve heroinë.

Xhemajl Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale akuzohen nga Prokuroria Speciale për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur për blerje apo posedim të substancave narkotike.

Alban Gashi akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës, ndërsa Labinot Zenelaj për mashtrim.

Kjo seancë ka dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarit Alban Gashi. Avokati i tij Besnik Berisha, i kishte dorëzuar Gjykatës raportin mjekësor që e arsyeton mungesën e tij.

Prokurorja e rastit, Florije Shamolli tha se ka pranuar një kërkesë nga avokati Asdren Mekaj, që të arrihet marrëveshja për pranim të fajësisë. Me këtë propozim u dakorduan dhe mbrojtësit e të akuzuarve, Xhemail Shala, Iskender Sale dhe Labinot Zeneli.

Kurse mbrojtja e të akuzuarit Sadik Shala, Naim Rudari tha se nuk dakordohet që të shtyhet kjo seancë pasi nuk kanë asnjë gatishmëri për marrëveshje të fajësisë.

Ai poashtu sërish kërkoi që, të veçohet procedura ndaj të akuzuarit Alban Gashi.

“Kërkojmë që Gjykata të veçojë procedurën ndaj Alban Gashit që gjendet në liri dhe mungon në seanca, pasi që ne s’mund të mbesim në peng për mungesën e tij”, tha avokati Rudari.

Gjithashtu, ai kërkoi që i akuzuari Sadik Shala të lirohet nga paraburgimi dhe t’i zëvendësohet me një masë më të butë, propozim që u përkrah nga avokatët e të akuzuarve Xhemail Shala dhe Iskender Sale.

Trupi gjykues refuzoi propozimin e avokatit Rudari, për veçimin e procedurës për të akuzuarin Alban Gashi.

Përfaqësuesi i një auto salloni kërkoi që të lirohet vetura që është sekuestruar, pasi sipas tij kjo veturë nuk është përdorur për kryerjen e veprës penale.

Gjykata refuzoi propozimet e avokatëve për ndërprerjen e masës së paraburgimit për të akuzuarit dhe refuzoi kërkesën e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, që vetura të lirohet nga sekuestrimi.

Seanca e radhës u caktua për datën 5 mars.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Xhemail Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale, po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal i organizuar dhe strukturuar së bashku me persona tjerë që gjendeshin në territorin e disa shteteve si Irani, Shqipëria e Kosova, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë shitur dhe transportuar 113 kg substancë narkotike të llojit heroinë. Të cilat substanca fillimisht i kanë blerë në Irak dhe pastaj kanë arritur që me maune të mbushura me pllaka të mermerit t’i transportojnë për në Shqipëri dhe Kosovë.

Xhemail Shala dhe Iskender Sale gjithashtu akuzohen edhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, kjo për arsye se pasi të njëjtëve i’u janë publikuar emrat e tyre si të dyshuar për trafikim me narkotikë, dhe se kanë paraqitur fakte te rreme në qendrat e regjistrimit në Prishtinë e Obiliq, me qëllim të ndërrimit të identitetit të tyre.

Ndërsa, Alban Gashi akuzohet  nga Prokuroria se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ju ka ndihmuar të akuzuarve të lartëcekur në shmangien, zbulimin dhe arrestimin e tyre, duke ju bërë të mundur pajisjen me dokumente të rreme të identifikimit dhe me këtë ka kryer veprat penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale” dhe “Falsifikim i dokumentit”.

Kurse Labinot Zenelaj akuzohet për veprën penale “Mashtrim”, kjo ngase me paraqitjen e fakteve të rreme e ka mashtruar drejtorinë e auto sallonit “Alberti”, kur e ka kuptuar se kishte vdekur një anëtari i këtij grupi, dhe ai kishte përfituar një veturë nga ai në atë mënyrë që kishte kërkuar çelësat e kësaj veture nga pronari i auto sallonit që ia kishte shitur të njëjtën tani të ndjerit.

Shtyhet seanca ndaj pesë të akuzuarve për 113 kilogramë heroinë